Në shumë lagje të Tetovës vonohet grumbullimi i mbeturinave. Para dyerve të qytetarëve të Tetovës vërehen kontejnerë të stërmbushur me mbeturina të ndryshme të amvisërive, shkruan gazeta KOHA. Banorët janë shprehur se çdo ditë i nxjerrin para dyerve mbeturinat me shpresë se kamionët do të marrin mbeturinat, por një gjë e tillë nuk ndodh. “Çdo ditë kontejnerët e vegjël i nxjerrim para derës si edhe në të kaluarën. Por, kësaj radhe nuk vjen askush t’i merr. Si i nxjerrim para shtëpisë përplot me mbeturina, ashtu edhe i kthejmë sërish në mbrëmje, sepse kamionët nuk vijnë. Mbeturinat janë bërë edhe më shumë, sidomos pas festës së Kurban Bajramit”, thonë banorë të revoltuar të lagjes Lenin. Gjendja më e rëndë ka qenë në lagjen “Lenin” dhe “Jashtë Vadarit”.Situatë më e mirë nuk është edhe në lagje të tjera.

Vonesat janë vërejtur këto dhjetë ditët e fundit kur Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë i është pamundësuar dërgimi i mbeturinave në Rusino nga banorët e atjeshëm, bllokadë që ka bërë kjo ndërmarrje të dërgojë mbeturinat në Shkup, gjegjësisht në Deponinë Rusino. Drejtori i NPK-së në Tetovë, Xhelal Ceka, thotë se gjithmonë pas festës së Kurban Bajramit ka ngecje në grumbullimin e mbeturinave, sepse ka shumë mbeturina nga amvisëritë. Kjo edhe ka bërë që të ketë më shumë vështirësi, por ai premton se kjo do të rregullohet brenda ditës. “Ka qenë në bazë të rutinës së përhershme që t’i marrin gjatë ditës së djeshme, mirëpo nuk është mundur në kohë që të arrijmë t’i marrim të gjitha në lagjet. Gjatë ditës së sotme kamionët e NPK-së vetëm se janë në terren dhe po punojnë për grumbullin e tyre”, deklaroi Ceka. Ai më tej sqaroi se shumë kohë merr edhe procesi i deponimit në Stacionin për ngarkim shkarkim në Tetovë. “I tërë procesi i ngarkim shkarkimit, së bashku edhe me grumbullimin në Tetovë gjithsej punëtorëve u merr diku rreth tre orë. Prandaj edhe ka shumë vonesa në këtë drejtim, sepse edhe kamionët duhet të lëvizin në një komunikacion të dendur dhe ka shumë pengesa të tjera që vonojnë kamionët të grumbullojnë mbeturinat në mënyrë më efikase. Krahas kësaj, ne mbeturinat i dërgojmë në Shkup dhe gjithsesi kjo është ngarkesë shtesë për ne si ndërmarrje që të plotësojmë në kohë këto shërbime”, tha Ceka. Po ashtu, krahas mosmarrjes së mbeturinave, problem tjetër këtyre si edhe në vitet tjera, kanë qenë mbetjet nga therja e Kurbanëve nëpër vende të ndryshme të Tetovës.

Gjendja më e rëndë është paraqitur përgjatë rrjedhës së Lumit Shkumbin, pranë deponive të egra në qytet, afër kontejnerëve ku kundërmon erë e keqe nga mbetjet e kafshëve për shkak të prerjes së Kurbanëve. Mbetjet e hedhura gjithandej kanë dhënë një imazh shumë të keq për këtë rajon, ndërsa reagimet kanë qenë të shumta edhe nga qytetarët. Nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, thonë se është rrezik nëse mbetjet e tilla qëndrojnë jashtë dhe nuk mbulohen, ngase shumë lehtë mundet që kafshët tjera apo insektet arrijnë tek ato mbetje dhe të infektohet, që është rrezik për përhapje të ndonjë epidemie. Ndërkaq, në disa vendbanime jozyrtarisht mësohet se janë hapura gropa më të mëdha ku janë hedhur mbetjet e Krubanëve, kurse sipas traditës në të kaluarën mbetjet janë groposur në oborre, por kohëve të fundit kjo traditë anashkalohet gjithnjë e më shumë.