Në këshillin e sotëm të BE-së duket se Bullgaria do të përsërisë bllokadën për rrugën tonë drejt BE. Këtë gjë sikur e konfirmoi edhe kryeministri Zaev i cili ka pasur bisedë telefonike me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, ku e ka uruar dhe e ka porositur se pret që të vazhdojnë bisedimet për gjetjen e zgjidhjes.

“U pajtuam të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për de-bllokimin e procedurës për fillim të negociatave për anëtarësim të RMV në BE dhe për impulsin e ri pozitiv për përforcimin e raporteve bilaterale mes dy vendeve në emër të ardhmërisë së përbashkët evropiane”, tha kryeministri Zaev.

Edhe kryeministri bullgar, Petkov, në intervistë për Finance Time paralajmëron se në gjashtë muajt e ardhshëm do të propozojnë proces të ri për de-bllokimin e fillimit të negociatave të Maqedonisë me BE. Do të vendosim diskutimet me RMV, do të përdorim grupe pune që të kërkojmë zgjidhje për aktivitet e përbashkëta ekonomike, infrastrukturën, kulturën dhe histori, ka thënë ai.

“Do të ndalojmë me pengesën e RMV për anëtarësim në BE. Tashmë nuk do të jemi “fëmija i keq” në bankën e fundit në klasën e NATO-së dhe BE-së. Ne jemi në anën e duhur të politikave. Në tekstet shkollore maqedonase Bullgaria nuk duhet të quhet fashiste”, u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Sekretari shtetëror slloven për çështje evropiane, Gashper Dovzhan, para fillimit të takimit tha se do të bisedohet për procesin e zgjerimit, por nuk e përmendi konkretisht Maqedoninë.

“Kemi në tavolinë draft konkluzione dhe do të shohim deri ku mund të arrijmë. Shpresojmë më të mirën, në mënyrë definitive do të jetë shenjë e mirë nëse kemi mundësi të arrijmë marrëveshje”, tha Gashper Dozhan – sekretar slloven për Çështje Evropiane.

Mbrëmë zv.kryeministri Artan Grubi, në Klik Plus në TV21 tha se lideri i BDI, Ali Ahmeti, ka plan B për fillimin e negociatave me BE.

Për datën e shumë pritur – 14 dhjetorin, para rreth një muaji foli edhe Kastriot Rexhepi i cili atëherë tha se ka informacione se Maqedonia do të fillojë negociatat me BE dhe se për këtë arsye ai është tërhequr nga rrënimi i Qeverisë.