Shkruan Shaqir Islami
Shtator, a bën mot të ngrohtë vere! Aq vite mbaj në shpinë, nuk mbaj mënd Shtator më të bukur! Dhe i bereqetshëm! Molla, dardha, groshë, gështenja, arra, lajthi, … bollëk. Ky vendi ynë është një xhenet i vogël! Po, nuk e them vetëm unë, kështu na thonë të huajt. Ne as që jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një vend të bukur. Sharri plak, tërë verën dhe tani vlon nga mysafirë të huaj. Ata s’mund të ngopen me bukuritë dhe begatitë e tij. Duhet të vinë të huajt dhe të na tregojnë se jetojmë në një shtet të vogël, por të begatë me bukuri të rralla dhe bereqet të bollshëm.

Ne, na duhet shumë pak për lumturi! Me një PO në referendumin e 30 shtatorit, secili do ngjallë shpresën, optimizmin dhe dashurinë fqinjësore; referendumi i suksesshëm do na sjell nam dhe bereqet. Sa e rëndësishme është një datë dhe një ditë vendimtare. Pra edhe dita dallon nga dita. Secila ditë nuk është njësoj. Kjo ditë peshon shum-shumë më shumë se çdo ditë e 30. e muajve tjerë. Përfundimisht me këtë referendum, secili nga ne është person i rëndësishëm, fjala e secilit peshon sa edhe një politikani, Hoxhe, akademiku, … në 30 Shtator mbizotëron barazia e plotë në shoqëri, atë ditë të gjithë e gëzojnë të drejtën e demokracisë, vendosin për fatin e shtetit të tyre; secili e jep kontributin personal dhe familjarë për një të ardhme evropiane, vetes, nipërve dhe mbesave për shumë gjenerata. Të jemi të sinqertë, edhe zogjtë e dinë se mirëqenia në vendin tonë vinë vetëm nga Evropa. Shembull janë gurbetçinjtë tanë. Vite me radhë, si milingona të vyeshëm, kanë sjellë mirëqenien evropiane në vendin tonë. Allo, aritmetikë e thjeshtë kjo, duhet vetëm një PO.

Para disa vitesh, me nipin tim Alinë mblidhnim manaferra në Sharr. Buzë kanalit në lartësi mbi 1400 m. të ndërtuar viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, për grumbullimin e ujërave të malit përmes të cilit mbushet me ujë Liqeni i Mavrovës. Rruga gjarpëron si një gjarpër gjigant përreth Sharrit, e cila është e prishur rëndë vende-vende, por akoma shërben për qarkullim. Nga larg i pamë dy çiklistë që vinin drejt nesh. Kur u afruan i pamë se ishin dy të huaj, vinin nga ana e Mavrovës dhe shkonin në drejtim të Tetovës. Pasi u përshëndetën u ndalën të pushojnë dhe pinë ujë të ftohtë burimi ndër një tufë lajthish të egër.
“Lum ju, -na u drejtua një mjekrosh – jetoni në këtë parajsë” – tha njëri nga ta. Tjetri shtoi “mal më të bukur nuk kam parë …” Dhe si zakonisht i huaji pyetet se prej nga vinë. “Jemi nga Sllovenia. Vijmë nga një qytezë Gorica.” U habita me lëvdatat e tyre për malin tim – Sharrin! Pasi e njoh çdo cep të Sllovenisë, iu drejtova :”Po, ju keni male shumë më të bukura …!”. Slloveni, nuk e priti ta mbaroj qëndrimin tim, me përulësi më tha: “Jo mik, ta them sinqerisht, na dy shokët me vite kemi shëtitur në shumë kontinente me biçikletat tona, kemi shkelur shumë male, … por si mali Sharr nuk kemi parë, bukuri e paparë … ndërsa, për fat të keq vijmë për herë të parë. Dhe sinqerisht, ky mal është i paparë.” Pasi pushuan, sllovenët e vazhduan rrugën e tyre, ne vazhduam të mbledhim manaferrat e shijshme të Sharrit bolemadh. Nuk e di, kështu më thanë vet sllovenët. Nuk e kam me të dëgjuar nga tjerët.
Prandaj me këtë referendum të suksesshëm i japim shansin Sharrit plak që t’ua shpalosë evropianëve bukuritë e rralla të tij. Sekush ka të drejtën të kënaqet me bukuritë dhe pasuritë e Sharrit. Referendumi do t’i hap dyert. Ata duke ardhur në Sharr do ta sjellin edhe Evropën në vendin tonë. Turizmi është burim i mirëqenies, jo vetëm për ne. Turizmi zhvillon një varg industrish tjera. Kështu krijohen vendet e punës, jo me pallavrat e budallafta të Ali Ahmetit.

Ta them troç, ky referendum duhet të na bashkojë të gjithë: shqiptarë, maqedonas, romë, serb, boshnjakë, …. Ky është një rast i mirë që ta shkrijmë akullin mes nesh; t’i harrojmë inatet dhe urrejtjet, xhelozitë ndaj njëri-tjetrit. Të falim dhe të respektojmë njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët. 30 Shtatori është dita e një faqeje të re, pa dallim feje e gjuhe; 30 Shtatori, le të jetë edhe dita e përmirësimit të marrëdhënieve njerëzore, etnike, kombëtare, .. mes nesh dhe fqinjëve tanë. Fqinjësia e mirë është bereqet. Kjo ditë është fletë lakmusi i pjekurisë sonë demokratike, është dita D për ne, pas aq pritje që t’i bashkohemi familjes evropiane. Them PO me plot bindje. Asnjë argument politik s’mund të më bind ndryshe. 30 Shtatori duhet të jetë një nokdaun për nacionalistët ngado qofshin, dhe për argumentet politike dhe retorikën politike boshe dhe të ligë të tyre. Fuck You, se na i keni shurdhu tashakllarët!
Shtatori edhe politikisht është shumë – shumë i ngrohtë. Ka qarqe që nuk na duan të mirën tonë. Këta balosha duan, të mirën e tyre ta ndërtojnë mbi të keqen tonë. Aman be! Çfarë miqsh të k… na qenkëshkan ! Ne këtë luks s’mund t’ia lejojmë vetes. Ne jemi fukara. Nuk na duhet asnjë miqësi me hile. Këtë herë vet i zgjedhim miqtë. Duhet të jemi syçelë, të mos na ndodh edhe ndonjë 2001’ësh të papritur. Ujët flenë, dushmanët kurrë nuk flenë. Me sa duket ne nuk kemi vetëm miq, por kemi edhe dushmanë, edhe atë mes nesh. Të gjithë ata që shfaqin dyshime, skepticizëm, defetizëm, rreth këtij referendumi duhet që t’i shmangim sa ma shpejtë. Nëse duhet edhe ta ndërrojmë rrugën. Dita e fundit e këtij Shtatori, do të na i ngrohë zemrat dhe do ta ngjalle shpresën tek qytetarët e vendit tonë. Më në fund, duhet të na prijë ogur i mirë! PO e madhe në 30 Shtatorë.