Podujeve e Mitrovicë, votohet për kryetarët e rinj

Më 29 nëntor, qytetarët e dy komunave të Kosovës, Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut zgjedhin kryetarët e rinj. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit në të dyja komunat janë hapur me kohë.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime. Në garë për të parin e Podujevës, për një mandat njëvjeçar, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua. Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur. Në këtë komunë do të jetë të hapura shtatë qendra të votimit me 27 vendvotime, derisa të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë. Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal. Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.