Në kohën kur po ndodh transferimi më i madh i pushtetit në Maqedoni në këto 10 vitet e fundit, gjegjësisht në sektorin e sigurisë: pra Ministrinë e Punëve të Brendshme, shqiptarët sërish mbeten jashtë këtij dikasteri. Sikur duket kjo e drejtë ekskluzive u takon vetëm maqedonasve. Siç mëson portali Zhurnal nga burime brenda kësaj Ministrie, ndaj shumë policëve shqiptarë ka nisur hajkë, pikërisht nga strukturat besnike të regjimit të VMRO-së, i cili në të kaluarën u kritikua për partizimin e skajshëm të këtij dikasteri mjaft të rëndësishëm për funksionimin e të drejtës dhe demokracisë në vend. Për fat të keq, këto hajka kanë tendencë të procedohen edhe nga udhëheqësit e ri.

Nga përgjimet e dëgjuara në fushatën për të Vërtetën e Maqedonisë, u mësua se funksionarë nga kjo Ministri më shumë u shërbenin pushtetarëve në Qeveri sesa popullatës dhe zbatimit të ligjit në përgjithësi. Jo të pakta ishin edhe rastet kur ndaj policëve të cilët merrnin pjesë në ndonjë miting partiak të ngriheshin hetime për përgjegjësi disiplinore me prova të sigurua nëpërmjet kurtheve institucionale.

Në këtë drejtim lehtë është e kuptueshme se çka ndodhte me policët e përgjegjshëm të cilët zbatonin ligjin ndaj funksionarëve të VMRO-së. Një nga rastet e fundit i cili në publik u mësua si një skandal i pa precedent ishte edhe sjellja e funksionarit të VMRO-së, Dime Spasov, i cili shkaktoi rrëmujë nëpër rrugët e Shkupit, duke aksidentuar shumë vetura dhe duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të MPB-së dhe anëtarëve të komunikacionit.

Dime Spasov, më 28.10.2016, rreth orës 23:30, ndiqej nga gjitha njësite policore Alfa dhe ato të trafikut, por në fund u ndalua dhe u arrestua nga një inspektor shqiptar bashkë me kolegun e tij maqedonas. Ata më pas ia dorëzuan të pandehurin policëve të uniformuar A.C dhe M.J, të cilët duhej ta vazhdonin procedurën e arrestimit. Por në vend të kësaj, ata duke e identifikuar funksionarin e Qeverisë, e trajtuan me shumë respekt dhe i lejuan Dime Spasovit që të flasë në telefon dhe të largohet me vrap nga vendi i ngjarjes, ku në ndërkohë dy policët të cilët e ndaluan atë fillimisht po merreshin me qytetarët e dëmtuar dhe të mllefosur nga veprimi i Spasovit.

Në shenjë hakmarrjeje për ndalim e Spasovit, Kryeshefi i SPB – Shkup Ivica Vuçveski ngre Komision Disiplinor kundër dy inspektorëve që nën trysninë e armëve e ndaluan Dime Spasovin, dhe duke mos pasur ndonjë arsye të fortë për këtë, ai akuzën e bazon në vonesën e paraqitjes së raportit të shkruar për punën e policëve. Kjo njëherit nxjerr edhe një anomali tjetër në pah, atë të mos angazhimit sa duhet të eprorëve shqiptar të MPB-së në mbrojtjen e policëve të tjerë.

Nga ana tjetër, në këtë hajkë ndaj policëve shqiptarë janë renditur edhe disa portale maqedonase, të cilat nëpërmjet shpifjeve dhe goditjeve të ulëta, tentojnë që ti etiketojnë policët shqiptarë. Rasti më i fundit është një shkrim i botuar në portalin DokazM, i cili akuzon Inspektorin Zeglul R. si ekzekutues i likuidimit të deputetit Ziadin Sela. Madje tendenca e këtij portali është që ta identifikojë Inspektorin si djali i Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame që në titullin e këtij shkrimi shpifës, ku thotë: “Djali i Kryetait Rexhepi i përzier në likuidimin e Zijadin Selës”.

Duke vërejtur tendencën e vjetër të këtij shkrimi, që buron nga mësimet e Çubriloviçit (1937 Memorandumi) që ti radikalizon, përçan dobëson dhe fut në luftë mes veti shqiptarët me qëllim që ti sundon ngadalë por sigurt, si dhe vazhdimësinë e intrigave nacionaliste-fashiste që po ndërmerren nga strukturat e ish regjimit të ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, për ti përça shqiptarët, për ti futur në zënkë dhe rrahje mes veti, portali Zhurnal e kontaktoi Zeglul Rexhepin për tu prononcuar për këtë rast. Ai shpjegoi se nuk mund të jep një deklaratë publike pa marrë leje paraprake nga MPB-ja, por theksoi se ka ngritur procedure penale në Gjykatë kundër portalit DokazM, për shpifje.

Gjithashtu të kontaktuar nga Zhurnal, edhe nga Bashkësia Fetare Islame bëjnë të ditur se do të ngrenë aktpadi në Gjyq kundër portalit DokazM, për siç thonë ata, shpifjeve tendencioze që kanë për qëllim që të hedhin pluhur mbi figurën dhe autoritetin e Kreut të BFI-së, Sulejman ef. Rexhepit. Botërisht dihet se BFI dhe Reisi Rexhepi ishin institucioni i parë që doli publikisht dhe e akuzoi Qeverinë e mëparshme, si një nga qeveritë më diskriminuese dhe autokratike në Ballkan. Këto akuza bëheshin në kohën kur askush nuk guxonte as të mendojë diçka të tillë, e jo më të del e flet haptazi kundër Qeverisë Gruevski. Akuzat për padrejtësi vazhduan deri në rrëzimin e atij regjimi. Madje ky institucion fetar disa herë radhazi ia bojkotoi Konferencat Ndërkombëtare Religjioze Qeverisë Gruevski me qëllim që ta sensibilizon Botën se popullata myslimane në Maqedoni po diskriminohet në format më të egra.

Disa funksionarë në BFI besojnë se pikërisht qëndrimi kritik i BFI-së dhe Reisit Rexhepi kundër pushtetit të Gruevskit ishin arsye që shërbimet sekrete në bashkëpunim me disa elemente të tyre brenda BFI-së tentuan Puçin në 4 Maj 2015 në BFI, i cili rezultoi me debakël, sepse të gjithë muslimanët e vendit u bashkuan në mbrojtje të BFI-së dhe të Liderit të tyre shpirtëror, ku nuk mungoi as mbështetja ndërkombëtare ndaj tyre.

Nga ana tjetër, pronari i portalit DokazM, Marjan Stamenkovski është i njohur për opinionin e gjerë pasi më datë 20.07.2015 u rrah brutalisht nga pesë persona me shufra metalike dhe përfundoi në Spitalin Shtetëror. Ajo që shumë pak dihet në opinion është se ai në momentin e rrahjes ka qenë në shoqërinë e Afrim Tahirit, personin të cilin e shkarkoi BFI nga pozita Sekretar i Përgjithshëm dhe i cili ishte ekzekutuesi i tentimit të Puçit në BFI. Mesa duket lidhja e këtyre dyve akoma vazhdon, por ama në dëm të Stamenkovskit, i cili pasi u këndell nga rrahja brutale, tash e presin dy aktpadi të rënda.

Sidoqoftë, një lajm mjaft shqetësues që vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme është se edhe pas punësimit minimal të disa kuadrove të reja në MPB që vijnë si detyrim nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shumica absolute e tyre akoma nuk posedojnë certifikatë sigurie (bezbednosen sertifikat), e cila do të mundësonte avancimin e këtyre kuadrove në këtë Ministri. Pra mesa duket, policët shqiptare akoma po trajtohen si të rrezikshëm për Maqedoninë, edhe përkundër faktit se në shumë raste ata kryejnë detyra të rrezikshme dhe e zbatojnë ligjin, edhe atëherë kur të tjerët i mbyllin sytë përkrah krimit të veshur me petkun e nacionalizmit dhe politikës./zhurnal.mk