Politikani serb Cedomir Jovanoviç, i cili konsiderohet si personi që i dorëzoi Gjykatës së Hagës ish-Presidentin Sllobodan Millosheviç është shprehur në një intervistë për Tv Klan se Serbia ka kapitulluar në Kosovë, por është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje përfundimtare ende.

‘Ne me politikën tonë ndaj Kosovës, idenë e shtetit serb dhe shtetit ku jetojnë serbët dhe shqiptarët e kemi djegur në mënyrë brutale. Kapitullimi i Serbisë ka qenë njësoj si gjermanët në vitin ‘45 kur fillimisht kapitulluan te amerikanët dhe më pas arriti gjenerali sovjetik Zhukovi dhe u tha ejani sërish dhe kapitulluan edhe për rusët. Serbia nuk është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare ashtu siç nuk është e gatshme as Kosova’, ka thënë Jovanoviç.

Çedomir Jovanoviç njihet edhe si një nga bashkëpunëtorët e kryeministrit të vrarë serb në vitin 2003, Zoran Gjingjiçit. Ai ka deklaruar se Rusia është ajo që e pengon marrëveshjen ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar koherentë në këtë çështje.