Prej sot është ndaluar eksporti i grurit, elbit, misrit, miellit të grurit, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit, kumtoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vendimin për ndalesë e ka marrë Qeveria dhe do të zgjat në dhjetë ditët e ardhshme, ndërsa qëllimi i saj, siç theksoi Bekteshi është që të evitohen veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve, mbrojtja e prodhimit vendor, tregut vendor dhe qytetarëve.

“Vendimi merret në mënyrë parandaluese që të mos shkaktohet çrregullime të mëdha në treg. Qëllimi i masës është mbrojtja e tregut vendor dhe i qytetarëve. Në kushte të postpandemisë kur përballemi me krizën më të madhe ekonomike në kohën më të re, qytetarët duhet të dinë se Qeveria është e përkushtuar në uljen e pasojave negative”, potencoi ministri.

Ai apelon deri te të gjithë faktorët ekonomik se tani është koha e dukur të tregohet mirëkuptim dhe të kontribuohet për uljen e pasojave negative nga kriza.

Bekteshi edhe një herë porositi që qytetarët të jenë të qetë dhe të mos druajnë sepse rezerva shtetërore ka.

“I garantoj qytetarët se rezervat shtetërore janë të qëndrueshme dhe se ka stoqe të mjaftueshme gruri dhe misri për të mbuluar nevojat e brendshme. Sigurisht, nëse lind nevoja, shteti është i gatshëm të plotësojë rezervat, por tani për tani nuk ka nevojë për këtë. Qytetarët të mos u nënshtrohen spekulimeve dhe të mos shqetësohen”, ka thënë Bekteshi.

Ministri nga konferenca për media në Qeveri u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve që urgjentisht të miratojnë ndryshime ligjore për akcizat dhe TVSH-në që janë dorëzuar dje në Kuvend.