Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore, pas aksidentit me autobus në Kroaci, që ka lënë të vdekur 10 persona dhe mbi 40 të plagosur.

Autobusi me targa të Kosovës ka dalë nga rruga, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci, rreth orës 6:00 të mëngjesit të së dielës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Në njoftimin e presidencës është thënë se për shkak të aksidentit dhe viktimave, Osmani, e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe të hënën do të jetë në Kosovë.

Osmani ka qenë në Japoni për të përkrahur ekipin e Kosovës, që po merr pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios.