Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë pasur dje një takim mjaft të rëndësishëm. Një ditë pas kritikave të kryeministrit ndaj ambasadorëve dhe Bushatit se nuk kanë lobuar sa duhet për investime të huaja, në Tiranë ka mbërritur princi i Arabisë Saudite. Ai ka mbërritur në Durrës me një jaht super luksoz i tipi Kingdom 5KR, që është në pronësi të Princit Alwaleed Bin Talal Alsaud, biznesmen, filantropist saudit dhe anëtar i familjes mbretërore saudite. Për takimin në fjalë ka reaguar dhe Ditmir Bushati. “Marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite kanë filluar të diversifikohen përtej ndihmës ekonomike dhe humanitare.

Takimi i sotëm me Princin Al-Waleed, Presidentin e Kingdom Holding Company, ishte një mundësi për të biseduar më konkretisht mbi investimet e mundshme në shërbimet turistike, industrinë dhe modernizimin e infrastrukturës”, shkruan Bushati në Facebook. Por, Rama foli të enjten për një ministër të ri të Jashtëm, duke lënë të nënkuptohet se Bushati do të largohet nga posti i shefit të diplomacisë shqiptare pas 4 viteve. Takimi i së enjtes mes Ramës, Bushatit dhe ambasadorëve ishte mjaft i tensionuar, pasi kryeministri shpërtheu në akuza ndaj tyre. “Duhet të nisim planin kombëtar të Diplomacisë në Ekonomi për dekadën e ardhshme për investimet e huaja dhe shkëmbimet tregtare. Nuk na duhen diplomatë të rraskapitur, nuk na ndihmojnë diplomatë që ke dëshirë t’i harrosh sapo u kthen shpinën. Është bërë goxha pastrim në këto katër vite nga parazitët në përfaqësitë tona, por ende kemi diplomatë delenxhinj dhe parazitë.

Ka akoma në radhët e shoferëve të ambasadave që gjendet ndonjë ‘kallçak’. Duhet të jemi të organizuar për të vendosur vendin dhe planet e zhvillimit përpara të gjithë syve të të huajve.

Duhet organizim mes shërbimit të jashtëm, ministrisë bazë dhe ministrive dhe agjencive të tjera.

Vitin e ardhëm do të jetë gjysma e sallës nëse ambasadat nuk do të justifikojnë arsyen e ekzistencës së tyre. Nuk i pranoj teoritë mbi nevojën e ambasadave që vetëm harxhojnë”, tha Rama në takim.