E martë, 21 Maj, 2024
Ballina Lajme Maqedoni Priten mesazhe të ashpra nga Mogherini pas vendimit të Ivanov

Priten mesazhe të ashpra nga Mogherini pas vendimit të Ivanov

Pas mosdhënëies së mandatit nga ana e Presidentit Gjoge Ivanov për formimin e Qeverisë nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev edhe më shumë ka futur vendin në krizë politike.

Kryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani thotë për Portalb.mk se kjo do të vështirësojë situatën edhe më shumë dhe se përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, e cila po realizon një vizitë në Maqedoni, do të jep mesazhe mjaft të ashpra.

“Pas konferencës për media që kishte presidenti Ivanov, ardhja e Mogherinit tani vështirësohet në kuptimin e dhënies së mesazheve dhe me siguri që duhet të jetë mjaft e ashpër dhe është e mundur të paralajmërojë izolim total të presidentit dhe fjalët e saja si mesazhe do të jenë kërcënuese sepse ajo është e detyruar që në këtë mënyrë të veprojë për faktin se Maqedonia ka ecur një rrugë të mjaftueshme drejt Integrimeve Euroatlantike dhe ka status kandidati dhe Bashkimi Evropian dhe NATO kanë edhe obligim që të kujdesen për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë për shkak se Maqedonia me trazirat eventuale mund të destabilizojë regjionin”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se qysh nesër Ivanov dhe Gruevski do të marrin shuplakën e parë nga BE-ja.

“Si duket Ivanov dhe Gruevski do të marrin shuplakën e parë qysh sot dhe pastaj do vijnë format tjera të cilat do të jenë mekanizma shumë efikase drejt kreut të VMRO-së dhe kryetarit”, shtoi Ramadani.

Ish ministri i punëve të jashtme, Denko Maleski thotë për Portalb.mk se pas vendimit të Ivanovit edhe mesazhi i Mogherinit pritet të ndryshojë, pasi që sipas tij, pas deklaratës së presidentit thellohet edhe më shumë kriza në vend.

“Cila që do të ishte në plan të Mogherinit, që të nxit vendet ballkanike drejt eurointegrimeve, ndryshon pas vendimit të presidentit Ivanov. Besoj që tema kryesore e vizitës dhe takimeve do të jetë kjo, thellimi i krizës politike pasi presidenti vendosi që të mos jep mandatin për formimin e qeverisë, Zaevit. Duke pas parasysh që edhe Johanes Han reagoi mbrëm pas këtij vendimi, Mogherini do të mundohet të bind presidentin Ivanov që të rrespekton demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve dhe sa më shpejtë të jep mandatin liderit të LSDM-së për formimin e qeverisë”, tha Maleski.

Ndërkaq në konferencën për shtyp kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov tha se “Platforma është e përgatitur në vend të huaj dhe kjo është pengesë që të mos ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev”.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, sot pasdite do të arrijë në Republikën e Maqedonisë në kuadër të mini-turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Siç informojnë nga Komisioni Evropian në Maqedoni ajo do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe me studentët që marrin pjesë në programin “Erazmus”.