Pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për të mos ia dorëzuar mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev, ekspertët juridik shohin mundësi të tjera për formimin e qeverisë së re. Një opsion i mundur sipas tyre është që shumica e re parlamentare të mblidhet dhe pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të votojë qeverinë e re në Kuvend.

Mendoj se është shumë e nevojshme të zgjedhim kryetarin e Kuvendit, të krijohet shumica dhe pastaj të ndërmerren hapat e mëtejshëm sepse është shumë rëndë që ti jepni zgjidhje kushutetuese një veprimi antikushtetues – tha juristi Naser Zyberi.

Edhe profesoresha Besa Arifi flet për një mundësi të tillë. Madje ajo thotë se dorëzimi i mandatit nga ana e presidentit është çështje formale ndërsa rolin më të rëndësishëm e ka Kuvendi i cili miraton qeverinë dhe programin e saj.

 Dhënia e mandatit është vetëm një akt formal nga ana e presidentit dhe nuk është një kusht I domosdoshëm nëse ekziston një shumicë parlamentare dhe nëse nuk jepet mandati kjo nuk do të thotë se mund të bllokohet procesi – tha profesoresha Besa Arifi.

Në emisionin “Rruga Drejt” ekspertët thanë se me vendimin e tij Ivanov ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe se në një shtet normal një gjë e tillë nuk do të kalonte pa sanksione.

 Ai ka shkel rëndë mbi kushtetutën që e bën përgjegjës në një shtet juridikisht të etabluar me institucione kredibile që funksionojnë sipas ligjit, ai duhet të përballet me gjykatën kushtetuese si organ që shqyrton përgjegjësinë e presidentit në rast të mosrespektimit të Kushtetutës dhe Ligjit. Fatkeqësisht Maqedonia nuk është shtet ligjor dhe as nuk ka institucione kredibile.

Ndonëse ekspertët e shohin si të mundur anashkalimin e presidentit dhe formimin e qeverisë së re vetëm përmes miratimit në Kuvend, mbetet e paqartë si mund të mblidhet shumica në Kuvend nëse ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski nuk e cakton vazhdimin e seancën e parë e cila u ndërpre vetëm pasi u verifikuan mandatet e deputetëve. Në këto rrethana si mundësi më reale për normalizimin e situatës shihet tërheqja e vendimit nga ana e Ivanovit, për cka bënë thirrje edhe diplomatët perëndimor. Megjithatë presidenti maqedonase nuk ka dhënë asnjë sinjal se mund të bëjë një veprim të tillë./Alsat