Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut është në përgatitje të planit për organizimin e kapaciteteve në spitale për valën e re të coronavirusit, që pritet në fillim të vjeshtës, kur edhe pritet rëndim i sistemit shëndetësor edhe nga të sëmurët nga gripi sezonal.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se shteti tani ka përvojë edhe mund të përballet me sfidat e radhës të viruseve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ne praktikisht jemi në përgatitje të planit, një pjesë e mirë është bërë, për atë se si duhet të organizohen kapacitetet për muajt e ardhshëm, sidomos për fillimin e vjeshtës, kur presim valë të re të të sëmurëve, si dhe ngarkesë me gripin sezonal”.

“Tani po veprojmë dhe kemi mësuar se çfarë dhe si duhet. Kemi kapacitete shtesë në Klinikën Infektive dhe e dimë si ta organizojmë spitalin 8 Shtatori, ndërsa paralelisht të mos ketë vonime për të sëmurët kronik, gjë që po ndodh tani”, tha Filipçe.

Ai tha se e mira është që këmbehen përvoja me shtetet tjera përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa edhe krijimin e aplikacionit “Stop Korona” e vlerësoi si pozitive.