Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shpresat e LSDM-së dhe BDI-së dhe krerëve tyre Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, se kandidati i përbashkët për kryetar të vendit do të ketë përkrahje nga krejt partitë shqiptare që në raundin e parë, të enjten u tretën tutje.

Kandidati për kryetar të vendit i pajtuar nga Kryeministri Zoran Zaev dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në raundin e parë nuk do të ketë përkrahjen e Bilall Kasamit, Ziadin Selës, Lëvizjes Besa, Aleancës për Shqiptarët e as të elektoratit të tyre. E me gjasë as të një pjese të padësjgueshme nga elektorati i BDI-së dhe Alternativës.

Kjo situatë tash iu shkakon kokëçarje Zaevit dhe Ahmetit.

Personaliteti dhe figura e Blerim Rekës si kandidat jo partiak dhe imazhi i tij i respektuar tek publiku shqiptar vendor mund të shkaktojë shkapërderdhje të madhe të votës shqiptare. Përkrahja e tij nga Kasami dhe Sela edhe më shumë.

Vendimi i ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut pranë Bashkimit Evropian dhe Belgjikës, Blerim Reka për të kandiduar erdhi pas idesë së Lëvizjes Besa. Kandidaturën e tij tash do ta përkrahë edhe Aleanca për Shqiptarët, duke e ndarë kështu në dysh përkrahjen dhe votën e shqiptarëve më 21 prill.

Kjo ndërkohë do të shkaktojë dilema tek elektorati shqiptar nëse duhet dëgjuar krerët e partisë apo dëshirën e tyre se për kë të votojnë, po aq sa do të pyesin vehten edhe për efektin e votës së tyre.

I njëjti elektorat do të ndodhet para pyetjes: Pse të dalim ne të votojmë për një kandidat maqedonas e jo kandidatin shqiptar Blerim Reka.

Një pjesë tjetër do të pyes, po çfarë fitojnë shqiptarët me fitoren e kandidatit nga LSDM ?

Një përgjegje dihet. Nuk do të fitonte Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE. Por jo edhe përgjegjet e tjera të rëndësishme.

Përgjegjet në këto dhe pyetje tjera tash atyre duhet t’ua jap Ahmeti dhe kreu i BDI-së, e po aq edhe krerët e partive të tjera shqiptare në pushtet dhe opozitë.

Punë kjo shumë e komplikuar kjo për të parin e BDI-së dhe krerët e tjerë partiak shqiptarë.

Por ata nuk do të duhej që të jenë të vetmit për të tentuar përgjigjur në këto pyetje të elektoratit shqitpar. Kryeministri Zaev po aq. LSDM herën e kaluar i mori afro 70,000 vota nga shqiptarët. Ai ka shumë përgjegje për të bërë para raundit të parë, e në rast nevoje edhe para raundit të dytë.

Kandidatura e Blerim Rekës, ndërkohë e vështirëson gjasët për fitoren e kandidatit të pajtuar nga LSDM dhe BDI që në raundin e parë, e madje edhe mund të ndikojë në fitoren e kandidates së përzgjedhur nga VMRO-DPMNE që me 21 prill.

Mbetet që të shihet se sa do të arrijnë Ahmeti dhe BDI që të mobilizojnë elektoratin e tyre për të dalë në votime e përkrahur kandidatin nga radhët e LSDM-së.

Në rast se në raundin e parë nuk do të ketë fitues, atëherë deri në datën e raundit të dytë, Zaev dhe Ahmeti do të kenë nevojë për bisedime me Kasamin, Selën dhe Rekën për të tentuar sjellë ndonjë votë shtesë në kutitë për kandidatin e përzgjedhur nga dy të parët.

Edhe nëse do të ketë ndonjë kompromis midis tyre, pastaj do të jetë përsëri e vështirë që të binden votuesit shqiptarë, sidomos ata që ia japin Rekës në raundin e parë votën, që të dalin tash në raundin e dytë për të votuar për maqedonasin e LSDM-së.

Situata më e thjeshtë do të ishte sikur krerët e partive shqiptare dhe Zaev të kishin gjetur gjuhë të përbashkët për një kandidat të vetëm. Por tash është vonë.

Negociatat midis raundit të parë dhe të dytë, nëse vie deri tek ky skenar, do të shpalosin edhe atë se cilat do të jenë kërkesat e Besës dhe ASH ndaj Zaevit e Ahmetit për të përkrahur kandidatin nga radhët e LSDM-së.

A do të jenë ato për interesa partiake, apo ato do të përfshijnë ndonjë interes përtej kufijve partiak ?

Kompromiset e deritashme të përfolura midis Zaevit dhe Ahmetit për kandidatin nga radhët e LSDM, nuk duket të kenë të bëjnë me ndonjë interes përtej kufirit partiak, por për vetëm ndonjë post të anëtarëve të BDI-së nëpër institucionet shtetërore dhe publike.

E cilat do të jenë kërkesat e Kasamit dhe Selës kur Zaev e Ahmeti t’ua cingërojnë telefonat pas raundit të parë ? Kjo tash për tash mbetet enigmë.

Por, Zaev dhe Ahmeti megjithatë do të shpresojnë se nuk do të ketë nevojë për raundin e dytë dhe negociata e kompromise me krerët e BESA dhe ASH në shkëmbim të votës.