Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me UEFA-n, partnerët e UEFA-s dhe FFM-në përgatiti program muzikor dhe aktivitete në zonën neutrale të fansave në sheshin “Maqedonia” me rastin e Superkupës së nesërme dhe duelin e Real Madridit dhe Mançester Junajted në Stadiumin e Qytetit.

Zona neutrale e fansave sot dhe nesër do të hapet prej orës 11 deri në orën 19. Në orën 11 do të fillojë turneu gras-rut midis meshkujve i cili organizohet në kuadër të “Turës së trofeut” nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Vajzat të cilat do të garojnë në terrenin gras-rut do të fillojnë në të njëjtën kohë ditën e ardhshme.

Në skenën e madhe të vendosur në sheshin “Maqedonia” sot do të performojnë Simona Poposka, dixhej Mats, Kontru dhe Brançez, ndërsa për nesër janë paralajmëruar të performojnë Sara Mejs, dixhej Della, Bras Brads dhe dixhej Bobi.

Të gjithë vizitorët që do ta vizitojnë “zonën neutrale të fansave” do të kenë mundësi të fotografohen me tre trofetë e UEFA-s, trofetë e Superkupës, Ligën e kampionëve dhe Liga Evropën, ndërsa për argëtimin e fansave do të përkujdeset edhe maskota e Super kupës 2017 Shkup. Aktivitete shtesë do të organizohen edhe prej partnerëve kryesorë të UEFA – Pepsi, Heineken, Master Card dhe Nissan.

Qyteti i Shkupit përgatit edhe vende speciale për t’u tubuar (meeting points) për të dyja grupet e fansave prej ku do të shkojnë drejt Stadiumit të Qytetit në ngjyrat e klubit të preferuar. Fansat e Real Madridit do të takohen në sheshin “Filipi i Dytë”, ndërsa tifozët e Maçester Junajted në platonë para Shtëpisë përkujtimore të “Nënë Terezës”.

Me rastin e ndeshjes së ardhshme, Kalaja e Shkupit është ndriçuar me ngjyrë të kaltër. Qyteti i Shkupit prezantoi edhe një video promovuese me qëllim që t’i njoftojë vizitorët e huaj me monumentet dhe bukuritë e kryeqytetit.

“Euforia e tifozëve pritet t’i mbush rrugët e Shkupit ditëve në vijim, ndërsa do të kulminojë më 8 gusht kur sytë e opinionit dhe fansave të futbollit nga e mbarë bota do të kthehen nga Maqedonia gjegjësisht Shkupi”, kumtuan organizatorët e programit shoqërues me rastin e Superkupës në Shkup.