Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka komentuar incidentin e fundit mes Shkupit dhe Beogradit ku kjo e fundit tërhoqi personelin diplomatik nga Maqedonia. Kocijançiq u bënë apel Shkupit dhe Beogradit zyrtar të tregojnë përmbajtje dhe rrugë paqesore ta zgjidhin problemin në fjalë.

“Komisioni Evropian i ka thirrur autoritetet e Shkupit dhe Beogradit të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet në lidhje me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi. Presim që të dyja palët të tregojnë përmbajtje dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë paqësore, në frymën e fqinjësisë së mirë”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
Ndryshe, incidenti diplomatik i papritur, sipas autoriteteve serbe erdhi si pasojë e informatave të tyre se siç thonë ata kanë dëshmi për veprime ofensive të inteligjencës në Maqedoni kundër Serbisë.

Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për gazetën serbe Blic, ka thënë se Maqedonia nuk ka bërë asgjë kundër Serbisë.

“Qeveria në Shkup asnjëherë as nuk ka patur për qëllim, as që ka dhënë urdhër për kryerjen e çfarëdo aktiviteti spiunues kundër cilitdo shtet fqinj, duke përfshirë edhe Serbinë. Pa përfundime të painformuara ose të hershme, e respektojmë dhe mbështesim thirrjen e Beogradit zyrtar që të mbrojmë marrdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe Maqedonisë dhe të vendosim kodeks standard të sjelljes. Shpresoj se në bisedën (sot pasdite) me Presidentin Aleksandar Vuçiç do t’i zgjidhim të gjitha mosmarveshjet eventuale”, theksoi Zaev.