Edhe përkundër apeleve të vazhdueshme të autoriteteve që të evitohen tubimet publike, këto thirrje diku bien në vesh të shurdhër. Simpatizantë të Bashkimit Demokratik për Ingerim u mblodhën mbrëmë në Tearcë. Në ambient të mbyllur, afër njeri-tjetrit, në kohë kur sugjerohet që distanca të jetë të paktën 1 metër.

“Sonte në një atmosfere impozante u be hapja e shtabit te BDI-se ne Komunën e Tearcës! Njëkohësisht u shfrytëzua rasti qe aktivistet e BDI-se te informohen dhe te marrin urdhërat rreth gjendjes se krijuar kohëve te fundit nga virusi “Corona”, thuhet në faqen e Facebook-ut, BDI Tearcë.

E edhepse shkruajnë se janë mbledhur për gjendjen me virusin, vetë të pranishmit nuk i kanë respektuar masat.

Mes tyre edhe zëvendësministri i Brendshëm Agim Nuhiu.

“Roli im aty ishte për të zbatuar dhe dhënë kontribut për zbatimin e masave institucionale kundër virusit korona”,- na tha përmes telefonit zëvendësministri Nuhiu.

E sot integristët vendosën t’i ngrijnë të gjitha aktivitetet partiake parazgjedhore. Kjo pas një moratoriumi te dakorduar mes gjitha partive, gjë që e pohon edhe kryeministri teknik Oliver Spsovski.

“Nga sot, moratorium të gjitha aktiviteteve tona zgjedhore. Shtabi Qendror Zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, pas konsultimeve telefonike të liderëve të partive më të mëdha në vend, shpall moratorium të të gjitha aktiviteteve partiake zgjedhore në lidhje me zgjedhjet parlamentare gjer më 22 mars 2020”, shkruan Osmani.

Propagandë me koronavirusin për pikë politike ditë më parë bënte edhe opozitarja VMRO-DPMNE.

“Shëndeti i qytetarëve për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe ministrit Filipçe është në pikëpyetje. Shkuam në situatë që paaftësia e Filipç­es të paguhet me jetët e qytetarëve. Ata që duhet t’i mbrojnë qytetarët nga shpërndarja e virusit korona janë bartësit kryesor të virusit korona”, deklaroi Dafina Stojanovska.

Kandidatja për deputete Stojanovska që ditë më parë po ashtu kërkoi dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, sot qëndronte në krah të kryetarit të saj Hristijan Mickoski. Mickoski sot tha se nuk është koha për larje hesapesh për pikë të imta politike por i bëri edhe ai.

“Tani nuk do të flasim për përgjegjësi. Tani duhet të flasim për besnikëri ndaj shtetit, ndaj qytetarëve. As nuk kam ndërmend të flas për përgjegjësi. Kur do të tejkalohet kjo situatë, atëherë do të flasim për përgjegjësi, se kush ka përfituar, pse ka përfituar dhe do të tregojmë dëshmi”, deklaroi Mickoski.

Akuzat e deridjeshme të DPMNE-së nuk kanë mbetur as pa reagim. LSDM-ja për çdo ditë ka reaguar ndaj tyre, duke e shndërruar kështu gjendjen me virusin në një vegël për akuza të ndërsjella politike.