720 milionë denarë tashmë janë derdhur në llogarinë e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me qëllim të sigurimit të 4 mijë pajisjeve për votim biometrik. Duke filluar nga java e ardhshme, opinion mund të kyçet në dialogun për përcaktimin e specifikave teknike të pajisjeve që duhet të sigurohen.

“Procedura do të jetë e hapur. Javën e ardhshme planifikojmë të zbatojmë edhe dialogun teknik. Procedura do të jetë publike dhe transparente, do të bëhet përmes sistemit elektronik për furnizime publike. Dialogu teknik do të zgjasë pesë ditë. Të gjithë ofertuesit ose operatorët elektronik të vendit ose të huaj mund të japin rekomandimet dhe vërejtjet e tyre për dokumentacionin tonë të cilin tashmë e kemi përgatitur- deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Tenderi do të jetë i hapur 30 ditë. Ndërkohë do të zhvillohet trajnimi i më shumë se 30 mijë anëtarëve të këshillave zgjedhor për mënyrën e përdorimit të këtyre pajisjeve. Procedura për sistemin e integruar për identifikim biometrik të votuesve do të zgjasë, por kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski beson se do të mbyllet në kohë për zgjedhjet e tetorit.

“Kushti, në dokumentacionin e dialogut teknik është që pajisjet të sigurohen në afat prej 30 deri 60 ditë, mundet fillimisht një pjesë dhe pastaj pjesa tjetër. Sipas përllogaritjeve tona, kjo do të ishte diku nga fundi i gushtit ose fillimi i shtatorit. Në ndërkohë duhet të bëhet trajnimi i atyre që do t’i përdorin këto pajisje dhe të vendosen pajisjet në përdorim. Tani për tani, nëse nuk del ndonjë gjë e pa parashikuar, mendojmë se do të ketë mjaftueshëm kohë- tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

KSHZ-ja mund të përballet edhe më sfidën e një risie tjetër në zgjedhjet e tetorit. Partitë kanë paralajmëruar dhe tashmë në Kuvend është dorëzuar propozimi për lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash. Për këtë të fundit nevojitet konsensus i ri.