Protesta dhe bllokime nëpër rrugë kishte në disa qytete të Maqedonisë. Në Shkup, Kumanovë, Dibër, Manastir dhe Kërçovë qytetarët shprehën revoltën kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike për 7.4%. Në Shkup u bllokuan dy udhëkryqe në qendër të qytetit, ndërsa në Tetovë dhe Gostivar u bllokuan autostradat. Protestuesit kërkojnë nacionalizimin e EVN-së, shpërbërje e Komisionit Rregullator dhe formimin e një komisioni tjetër.

Në Gostivar dhjetëra automjete protestuan duke u lëvizur nëpër rrugën magjistrale Gostivar – Kërçovë. Protestuesit lëvizën nga pikëpagesa e Gostivarit deri në udhëkryqin në fshatin Zdunjë. Gjatë protestës, komunikacioni në këtë rrugë e gjatë dy kilometra, ishte në mënyrë të ngadalësuar.

Në protestën e Kërçovës u përfshinë bashkësitë lokale të komunës dhe shumë qytetarë të tjerë të cilët nuk ishin të përcaktuar politikisht, edhe pse pjesa më e madhe e strukturave lokale haptazi dhanë mbështetjen e Këshillit nismëtar për protesta kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike.

Organizatorët e protestës theksuan kjo protestë vjen si reagim i shtrenjtimit të rrymës elektrike.

Në Manastir qytetarët mbanin transparente dhe parrolla kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike. Protestuesit protestuan në ‘Shirok sokak’ duke respektuar protokollet për mbrojtje nga COVID-19, me maska dhe me largësi trupore./Telegrafi/