Pronarët e objekteve hotelierike për organizimin e dasmave, ahengjeve dhe manifestimeve të tjera, të shoqëruar edhe nga produksionet, artistët dhe foto studio, kanë organizuar një protestë ku për tre orë kanë bllokuar rrugën Aleksandri i Maqedonisë. Ata ndjehen të diskriminuar nga pakot e Qeveria për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga kriza e pandemisë, ndërsa kërkojnë që të lejohen të punojnë nën masa dhe protokolle rigoroze.

“Kryeministri Zaev duke prezentuar pakon e pestë të masave, prezantoi ndihmë prej 1.3 milion euro për kompanitë e transportit të udhëtarëve që kanë rënie minimum 50%. Siç tha e parafrazoj, shteti në mënyrë drejtpërdrejtë e kufizoi me masë veprimtarinë e tyre. Mos vallë situata tek ne është më ndryshe? Ne nuk kemi kufizim të veprimtarisë, tek ne është edhe më keq, ne kemi ndalesë të veprimtarisë tonë dhe nëse punojmë përgjigjemi penalisht. Ne për pesë muaj lëshojmë paga për të punësuarit tonë, ndërsa Qeveria na ndihmon me gjashtë. Për këtë shkak kërkojmë të punojmë nën masa dhe protokolle strikte”

Paraprakisht, duke komentuar paralajmërimet e protestës dhe kushtet e gastronomëve, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka thënë se Qeveria nuk përpilon protokolle por këtë e bëjnë ekspertët nga komisioni adekuat. Ai ka thënë poashtu se mbështet protestat si e drejtë demokratike por nuk pranon ultimatume, ndërsa akuzave u është kundërpërgjigjur duke thënë se në të gjitha pakot e deritanishme ka pasur mbështetje edhe për këto sektorë.

Kreshnik Bekteshi

“Edhe në të kaluarën edhe tani në pakon e pestë të masave dëshmojmë se asnjë veprimtari nuk do të anashkalohet, përfshirë këtu edhe gastronominë. Nuk pajtohem me ultimatum që janë dërguar, ndërsa do ti inkurajoja qytetarët ta thonë mendimin e tyre përmes mënyrave demokratike siç janë protestat. Ne do të jemi këtu si Qeveri tu ndihmojmë qytetarëve dhe bizneseve me qëllim që ta kalojmë pandeminë me pasoja më të vogla”

Gastronomët dhe hotelierët për një kohë të gjatë kanë denoncuar se gjatë periudhës së pandemisë kanë regjistruar humbje të mëdha dhe kanë thënë se janë sektori më i goditur nga pasojat ekonomike të krizës.