Duke filluar nga njësia numër 1, ku listën e udhëheq artan grubi, shef i kabinetit të kryetarit të bdi-së, ali ahmeti, i njëjtë është edhe rasti i ejup halimit, bartës i listës në njësinë numër 2, i cili është përmendur nga osman ndrecaj, kurse rast më eklatant në këtë drejtim paraqet kandidimi për bartës liste i kryetarit të bdi-së, ali ahmeti

Të gjithë bartësit e listave të kandidatëve për deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ku shqiptarët mund të fitojnë deputetë, me përjashtim të njësisë numër 5, janë emra që ndërlidhen me konfliktin e Kumanovës. Duke filluar nga njësia numër 1, ku listën e udhëheq Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit ët BDI-së, Ali Ahmeti, i cili nga Sulejman Osmani është përmendur si person që bashkë me OSBE-në është dashur të presë pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, pasi të dorëzohen.

I njëjtë është edhe rasti i Ejup Halimit, bartës i listës në njësinë numër 2, i cili ëhstë përmendur nga Osman Ndrecaj, babai i Mirsad Ndrecajt, se ka shkuar për ngushëllime në shtëpinë e tyre pa u prezantuar se kush është. Rast më eklatant në këtë drejtim paraqet kandidimi për bartës liste i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Nga Sulejman Osmani ai është përmendur si person që u ka garantuar pjesëtarëve të grupit të Kumanovës që të lënë armët dhe të dorëzohen, sepse do të priten nga ekipe të OSBE-së, e jo nga policia maqedonase. Poashtu shumë familjarë të pjestëarëve të vrarë dhe të arrestuar të Grupit të Kumanovës kanë akuzuar Ahmetin se ka tradhtuar familjarët e tyre.

Zëdhënësi  i BDI-së Bujar Osmani ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetës Lajm, se pse persona emrat e të cilëve lakohen te rasti i Kumanovës janë bartës të listave të BDI-së. “Kjo nuk është pyetje gazetarësh”, ka thënë Osmani duke refuzuar të përgjigjet në pyetjen tonë. Sigurisht nuk e din që “Lajm” posedon një mesazh i cili tregon se Osmani përgjigjet në pyetje, por nëse i parashtrohet në gjuhë tjetër, e jo në gjuhën shqipe. Do të çuditet shumë kur ditëve në vijim do të ja publikojmë këtë mesazh.

Ndërkaq analisti Ismail Sinani, vlerëson se nëse zgjedhen deputetë, në rast nevoje mund të thirren në imunitet. Megjithatë Sinani thekson se imuniteti nuk mund t’i shpëtojë nga përgjegjësia historike.

“Nuk është mirë të prejudikohet sepse një veprim i tillë nuk kontribuon në të mirë, mirëpo në Maqedoni, pra në politikë asgjë nuk ndodhë rastësisht. Nuk dëshiroj të besoj se emrat e përfolur kanë diçka të përbashkët me zhvillimet e 9 majit në Kumanovë, por nëse ka diçka të vërtetë atëherë personat në fjalë mund të kenë imunitet apo të thirren në imunitetin që eventualisht mund ta përfitojnë në Kuvend, por asnjëherë nuk do të mund të ngelen imunë nga trajtimi që i bën apo që do t’i bëjë historia”, thotë Sinani për Lajm.

Analisti Semi Mehmeti, rikujton se BDI nuk ka kandiduar vetëm persona të përmendur në rastin e Kumanovës, por edhe persona që përmenden në “bombat” e publikuara nga opozita. Sipas tij, BDI me kandidatët e vetë ka ;uar inat me qytetarët.

“Jo vetëm njerëzit e përfolur në atë rast, por BDI ka kandiduar edhe emra që janë përfolur në bomba, personin që ende nuk i ka dhënë dëmshpërblimet në Lagjen e Trimave dhe Hasanbeg e Shipkovicë, njerëz kontraverz si Artan Grubi e të ngjashëm. BDI ka kaluar në një fazë arrogance ndaj elektoratit. Pikërisht emrat të cilët qytetarët dhe mediat i kritikojnë më së shumti dhe vlerësohen si të padëshiruar edhe për vetë elektoratin e BDI-së kjo parti i ka kandiduar thjeshtë PËR INAT TË QYTETARËVE. Ahmeti ka kaluar në një fazë ekstaze dhe dehje nga pushteti dhe tani mendon se as votuesit nuk mund ta kritikojnë dhe rrezikojnë andaj dhe mundohet ti dënojë edhe qytetarët duke ju propozuar emra të padëshiruar për ta. Por jam i bindur që këtë arrogancë Ahmeti do ta paguajë shtrenjt pasi qytetarët shqiptarë kanë ditur të dënojnë arroganca të këtilla edhe në rastet e partive të tjera, por edhe të vetë BDI-së në disa raste në zgjedhjet lokale në Haracinë, Tetovë e disa vende tjera”, thekson Mehmeti.