Qytetarët nuk besojnë se mund të ndikojnë në uljen e korrupsionit, ndërsa nga frika e pasojave gjithnjë e më pak qytetar marrin guximin të denoncojnë korrupsionin. Kjo është shënuar në raportin e Transparencë Internacional Maqedoni. Atje thonë se po rritet edhe korrupsioni politik, sidomos në fushatën parazgjedhore.

“Kjo është e mundshme dhe ndodh sepse tek ne nuk ka sistem të mjaftueshëm transparent për kontrollin e financimit të fushatave zgjedhore, nuk publikohen donatorët e partive politike, ndërsa nuk zbulohen as burimet përmes të cilave financohen aktivitete të caktuara në kuadër të fushatës”, tha Slagjana Taseva, Transparencë Maqedoni.

Gatishmëria e qytetarëve për të denoncuar korrupsionin sipas Tasevës ka rënë, edhe për shkak të ngecjes së hetimeve për të ashtuquajturat bombat e opozitës.

“Pjesa më e madhe ose 25% kanë thënë se kanë frikë nga pasojat nëse denoncojnë rastet ekorrupsionit. Mungesa e sundimit të së drejtës dhe mos veprimi i institucioneve, si dhe mbrojtja e pamjaftueshme e atyre që paraqiten si denoncues të korrupsionit”, deklaroi Taseva. 

35% e të anketuarve në vend kanë thënë se korrupsioni është një nga tre problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Maqedonia. Korrupsion më të madh ata vërejnë në shëndetin publik,në policinë e trafikut dhe në arsim.