(Sulejman Rexhepi u shkarkua?! Pas një presioni gjithëpopullor nuk ka shkarkim, as dorëheqje por, ka ikje, arrati, ekzil, ose, fundlojë hitleriane)

Nga Mr. Eset Shaqiri

Sulejman Rexhepi, personi më kontravers ndër shqiptarët e viseve etnike, me demek, qenka shkarkuar, a? U mblodhën “burrat e fisit” dhe e shkarkuan! Po kush janë këta “burra” që pranuan ta shkarkojnë njeriun i cili, ose duhej të dorëhiqej nga misioni uzurpues, ose ikte, ose të përjetonte fundlojën hitleriane, pas tërë atij presioni medial e gjithëpopullor që, mbi gjysëm dekade u bë në funksion të zbardhjes së skandaleve dhe aferave antikombëtare e antiislame të Sulejman Rexhepit!
Këta “burra” janë shokët e Sulejman Rexhepit, shokë në bashkëkryerje të punëve më të pista që janë bërë në BFI, janë “nuse” që i kanë ndenjur paluar e nusëruar Sulejman Rexhepit kush tri dekada, kush dy e kush një dekadë. Në fund, ia qitën kararin: më hajër është shkarkimi se sa ikja! Pse?
Sepse, ikja ose, hajde të themi “dorëheqja”, ushtron reperkusion moral edhe ndaj ekipit të tij! I pari ofron dorëheqje, tërë ekipi dorëhiqet! Por, ndonse në dorëheqje, Kushtetuta i obligon që t’i përgatisin zgjedhjet e organeve, pa të drejtë për t’u futur në gara për zgjedhje! Vjen i treti dhe – ua nxerr të palarat në shesh. Kështu që, më mirë “shkarkim”!
Me shkarkimin e të parit nga ana e ekipi të vet, në fakt ekipi amnistohet, del i shpëlarë nga çdo pisllëk i të parit, pavarësisht se në atë pisllëk janë ngjyer që të gjithë. Por, këta “që të gjithë” me shkarkimin e të parit, “automatikisht” dalin si trimat e dheut që e dëbuan pisin! Kështu, nën këtë epitet e fitojnë besimin e popullit dhe, për çdo vendim që do të marrin më vonë, do të gëzojnë besimin dhe legjitimitetin e popullit! Këtë lojë e dëshiron Sulejman Rexhepi, prandaj dhe ua ka propozuar shokëve të vet “rrebelimin” e tyre dhe shkarkimin e “reisit” të tyre!
Kujt ia merr mendja se paska guxim Shaqir Fetahu të rrebelohet e të kërkoj shkarkimin e Sulejman Rexhepit? Po a ka më hipokrizi dhe më paftyrësi se sa të ngritet dhe Mustafa Dauti të kërkojë shkarkimin e Sulejman Rexhepit?! Ta kërkojë Qenan Ismaili dorëheqjen e Sulejman Rexhepit?! Asnjëri prej tyre nuk do të guxonte ta ndërmerrte një hap të tillë? Sepse, do t’i gozhdonte në kryq Sulejman Rexhepi! Do t’i detyronte në vetëvarje nga turpi! Vërtet, pse pas këtij “akti rrebelues”, të atyreve me të cilët, vetëm dy ditë më parë e falën së bashku Fitër Bajrmin, nuk reagoi fare Sulejman Rexhepi, por as “mbrojtësit” e tij?! Nuk ka reagime nga asnjëra palë, sepse e tërë kjo është lojë faraoniane e Sulejman Rexhepit.
Këta “burrat e dheut”, do ta “largojnë” Sulejman Rexhepin, do ta sjellin kipcin e tij (identik në të gjitha aspektet) dhe loja do të vazhdojë edhe më tej! Lojë tipike komuniste! Komunistët më së miri e luajn këtë lojë! E dëshmuan këtë kur, ndonëse përfundoi epoka e tyre, ata, në periudhën post-komuniste sërish, të veshur me gëzofin e demokracisë, i kapën të gjitha vendet drejtuese, që nga kryetari i shtetit e deri te roja e dyerve të veceve publike. Prandaj shkarkimi “ka vlerë” në rastin konkret! Do ta largojnë duke u mbështetur “në procesverbalin e mbledhjes”! A ka më dobësi dhe më idiotizëm se sa të pranohet “ky justifikim” kaq banal që u sugjerohet nga Sulejman Rexhepi i cili tashmë shihet qartë se është në fillimet e sindromës alzheimeriane?!
Çdo lojë që do ta luajnë tash e tutje veglat e Sulejman Rexhepit me në krye Shaqir Fetahun, e që do të jenë në të mirë të Sulejman Rexhepit, apo frymës së tij në BFI-në pos-sulejmaniane, do të pastrohet me gjyq, i cili, detyrimisht që do t’i zbardhë të gjitha aferat, skandalet dhe pjesëmarrësit në të! Kjo garniturë e përkohëshme e këtij skandal “rijaseti” duhet islamikisht të ndërgjegjësohet dhe qetë e pastër ta dorëzojë pushtetin tek ata që janë përbetuar në Zot se nuk ka zbrapsje deri në reforma rrënjësore në Institucionin që u përket myslimanëve të vendit. Fati i kësaj garniture ishte që të dështojnë dhe kaq, këtu ta përfundojnë, ndryshe, fat i tyre mund të jetë edhe që të bëhen për faqe të zezë e të njollosen më keq se “reisi” i tyre. Kanë shansin historik që të shpëtojnë duke mos ia varur vetes të gjitha etiketat që i përkasin Sulejman Rexhepit! Epoka e tij ka përfunduar! Të tjerëve u bëhet ftesë islamike për reflektim!

(Autori është anëtar i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)