Besoj se e keni vënë re se organizimet apo tubimet protesta në botën e qytetëruar, nuk janë kryesime dhe organizime partiake! Ose janë shumë, por shumë rrallë ose akoma më mirë mblidhen vetëm kur kanë “electoral day”! Nuk janë kryetarë partish dhe lidershipe politike që thërrasin, kryesojnë dhe organizojnë tubimet, protestën apo dhe grevën por dhe qëndrimet ekstreme kundër! Ka dy arsye pse nuk janë kështu!

E para, se kanë detyrim kuvendin dhe pushtetet që zotërojnë ligjërisht kudo në një vend qe ka pushtete të ndara dhe të përcaktuara!
E dyta, është se kur protestat kryesohen, organizohen, demostrohen, thërriten, apo akoma më shumë nxiten nga partitë – paragjykohen dhe akoma më shumë, nuk besohen! Protesta është e drejtë demokratike dhe padyshim shëndosh pikërisht demokracinë – por është detyrë dhe vullnet në rradhë të parë i qytetarëve dhe jo nxitje politikanësh.Pse kanë dalë “boje” të tilla modele monstra (tubimi lidershipi politik) të organizuara si nga e djathta dhe PD-ja sidomos dhe dikur jashtë pushtetit nga PS-ja. Pse është një marrëzi politike, një padrejtësi qytetare dhe një mashtrim filozofik, protesta e iniciuar nga partitë dhe e shpërthyer në sheshe me qytetarët që mblidhen me organizime të partive dhe nëpër rrethe. Po po – shtyhen dhe nxiten nga lidershipet politike! Po sipas meje, është një marrëzi politike, sepse ju ka ikur koha, janë shpërdoruar shumë e shumë të tilla, është marrëzi se mbas çdo njërës prej tyre “kanë hyrë dhe kanë dalë kastravec” dhe për më tepër se – gjigandomaninë e përdorur tashmë në botë, e bëjnë vetëm shoqëri që ju ka mbetur ora te përfitimi banal politik dhe jo shoqëror. Them se është padrejtësi qytetare, sepse “partia sërish si në diktaturë urdhëron, organizon dhe biles përfiton” duke lënë në hije organizimin demokratik qytetar, të vet organizuar dhe vetëdrejtuar, në mbrojtje të interesave të tyre. Nuk lejon kjo padrejtësi qytetare që ata, (qytetarët) të jenë të parët dhe të rëndësishmit – sepse padrejtësia qëndron në themel të organizimit të protestës që është përfitimi nga organizatorët dhe jo nga qytetarët. Kurse mashtrimi filozofik është padyshim një protestë që gënjen me qëllimin e vërtetë. Nuk ka mendje të shëndoshë, që nuk e kupton se pjesa e lidershipit pa pushtet kërkon të përdorë të drejtën e qytetarëve për të ardhur pikërisht dhe rimarrë pushtetin. Mashtrimi është kauza boshe dhe jo ajo plote.

Sot pushteti ka shumë për t’u kritikuar dhe protestuar – por lidershipi politik thërret qytetarët jashtë kauzës së vërtetë që është frika e madhe nga reforma në drejtësi. Ajo (politika e lidershipit politik) i thërret qytetarët që të mbrohet nga kjo reformë, jo Partia Demokratike dhe ndonjë tjetër mbas saj – por një lidership që sigurisht ka probleme të mëdha korrupsioni dhe firmash e vulash në krim. Po pra – që drejtësia tashmë po i liron hekurat me të cilat e kishin lidhur një dorë maskarenjsh, në krye të saj në akuzë dhe gjykata të lartësive nga më të mëdha!? Filozofikisht një mashtrim të tillë nuk guxojnë të bëjnë më parti të botës demokratike, sepse e para nuk do të mund të dilnin hapur në mashtrim dhe e dyta, kanë ndërgjegje politike, e cila nuk i lejon të bëjnë një mashtrim të tillë absurd dhe idiot duke u djegur përfundimisht. Kjo e “mirë” ose djegia e ka gjetur dhe PD-në e Bashës, e cila është rrudhur së tepërmi dhe është ndarë shumë në mënyrë të pabashkueshme realisht. Prej kësaj mënyre në mashtrim filozofik – përfiton dhe cilido pushtet apo mazhorancë që është në pushtet! Sepse, një opozitë që gabon kështu, që kërkon me këmbëngulje të vijë në pushtet po kështu, jo vetëm që zhgënjen të vetët, por i “qetëson” dhe ata përballë! I qetëson sigurisht, sepse ju jep komoditetin e vazhdimit edhe të gabimeve ngaqë ata përballë dhe kur janë në opozitë – konsumohen dhe më tepër se ata në pushtet. Imagjinoni se çfarë ka ndodhur me një dorë të lidershipeve që kanë organizuar 27 janarin! Ata kanë abuzuar me opozitarizmin. I kanë rënë në qafë formës dhe përmbajtjes së bërit opozitë. Kanë bërë pakte dhe nën pakte të cilat në sy të opozitarizmit janë “tradhti” dhe kulisa nga më idiotet e mundshme. Janë rrëmuja politike të pakuptimta, me kauza të rrënuara akoma pa nisur mirë. Kauza polisteroli kur vetë kishin mundësi të bënin politikë të drejtë pro qytetarit dhe në krah të perëndimorëve! Lidershipi demokrat dhe kur ka mbledhur dhe kur nuk ka mbledhur njerëz në shesh – ka abuzuar me kauzën, duke e shtrembëruar apo keqtrajtuar apo akoma më rëndë, duke mos pasur kauzë të vërtetë fare!

Pse nuk ndodh një budallallëk i tillë në Itali? Po në Francë, po në Gjermani, po qoftë dhe në Kroaci dhe biles po përmend dhe në Rumani, kur protesta nuk është kryesim dhe lidership me parti?! Dikush, që sigurisht ka trutë e thara të ndonjë ish punisti dhe anëtari leverdie dikur, mund të thotë se: ne jemi mbrapa demokratikisht. Patjetër që jemi – por kanë kaluar 28 vite dhe akoma nuk mësuam se duke shitur mend në krye të protestës politikanët dhe politikanet si meshkuj dhe femra – qytetarët luajnë vetëm aktorët e dorës së dytë! Sigurisht pra “komparsat”, rolet episodike dhe akoma më shumë, humbin rolin e vërtetë të tyre që është ai i të drejtës për të protestuar kundra padrejtësisë ekonomike, politike dhe financiare në protagonizëm pa i mbikaluar askush. Roli për t’u vetorganizuar dhe demostruar pa u manipuluar protestën e tyre, ankesën e tyre për qeverinë dhe bëmat e këqija të saj – shtrembërohet dhe rrënohet nga lidershipet. Protesta në fakt është “de facto” një protestë dhe ndaj ndërkombëtarëve ose ambasadës amerikane të zotit Lu dhe asaj të BE së zonjës Vllahutin! Të akuzuar nga opozita si bashkëpunëtorë të Ramës, kuptohet qartë se opozita duke protestuar kundra qeverisë së tij (Ramës) njëkohësisht po protestojnë dhe kundra “bashkëpunëtorëve të tij” që janë Lu dhe Vllahutin. Kaq e “bukur” është kjo gjë, sa që amerikanët sigurisht asnjëherë nuk mund të qëndrojnë pa reaguar – shkruajnë në emailin që ju dërgohet shtetasve të tyre kështu:Shmangni Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Sheshin Skënderbej dhe Sheshin Nënë Tereza. Jini të vetëdijshëm për mjedisin tuaj. Monitoroni mediat lokale për përditësime. Mbani një profil të ulët”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Jam i qartë se çfarë do të thotë “shmangni këtë e atë rrugë” dhe mund të shtyhem të kuptoj se çfarë do të thotë – jini të vetëdijshëm për mjedisin tuaj! Hajde – se po tentoj të kuptoj dhe “monitoroni mediat lokale për përditësime”. Por “mbani një profil të ulët” e kuptoj shumë qartë dhe mirë që do të thotë – mos kini punë fare me protestën politike kundra qeverisë shqiptare dhe as mos u dukni fare në këtë aferë, që nuk ka asnjë lidhje dhe frymëzim apo dhe afrim me ne. E kjo tashmë ka kohë që dihet, si raport i kësaj ambasade me sidomos PD-në dhe disa lidershipe te ajo dhe te të tjerët afër saj.

Pra protesta e sotme është “punë partie” dhe përderisa të jetë e tillë – zor se është punë qytetarësh të cilët sigurisht kanë pse protestojnë dhe fort madje në të gjithë kohërat e deri më sot!

Nga Besi BEKTESHI