lence ristovska

Konferencë për shtyp e Prokurorise Speciale Publike: Hetohet politikanët që kanë bërë milionat, përveç burgut do të ju konfiskohet edhe pasuria

“Puna e Prokurorisë Speciale vazhdon. Personat që kanë bërë krim, përveç përgjegjësisë penale, do t’u merret edhe e tërë pasuria që e kanë fituar në mënyrë të paligjshme”, kjo është porosia e prokurores së Prokurorisë Speciale, Lençe Ristovskës gjatë konferencës së sotme për shtyp.

“E njoftojmë publikun se informatat që i deklarojmë janë në bazë të ligjit dhe kemi kujdes ndaj informatave të cilat kanë të bëjnë me procedura të fshehta dhe me informata të klasifikuara. Njoftojmë se të gjitha hetimet dhe parahetimet vazhdojnë. Afatet ende nuk kanë kaluar dhe ne shpresojmë që kryetari do t’i plotësojë obligimet kushtetuese dhe do ta tërheqë plotësisht faljen që Prokurorisë Speciale t’i lejojë që ta kryej punën e saj. Duhet të mos ketë të drejtë selektive”, tha Ristovska.

Prokurorja gjithashtu përmendi se ata ende e presin përgjigjen, nga presidenti Ivanov, në lidhje me atë se prej ku i ka marrë emrat e personave të falur, që janë nën hetime nga PSP-ja. Ristovska tha se dy kërkesa deri më tani janë dërguar, njëra më 15.04.2016 dhe tjetra më 09.05.2016, ndërkaq Ivanov ende nuk a dhënë përgjigje, transmeton Portalb.

Ristovska njoftoi se Prokuroria Speciale është duke punuar në 7 procedura hetimore në të cilën janë të përfshirë 60 persona, shkruan Portalb.

“Nuk kemi mundësi që të ndajmë më shumë informata për procedurat tona, por këtu jemi dhe punojmë vazhdimisht. Shumica e procedurave janë të fokusuar në hetime financiare të cilat kërkojnë kohë që të mblidhen dhe analizohen dëshmitë materiale”, tha Ristovska.

Ristovska tha se disa media po bëjnë spekulime në lidhje me deklaratat e kësaj prokurorie dhe se të njëjtët i nxjerrin deklaratat prej konteksti. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale, së shpejti, në ueb – faqen e saj zyrtare për çdo javë do t’i nxjerrë qëndrimet dhe deklaratat e këtij institucione të dhëna nëpër media apo konferenca të ndryshme për shtyp, raporton FOL.

©fol.mk