Punëtori: Prodhimi organik mund të jetë më i lirë se ai konvencional

Prodhimi organik mund të jetë më i lirë prej atij konvencional nëse zbatohen përvoja dhe teknika adekuate, u tha në ngjarjen e sotme përfundimtare të projektit – përforcimi i kapaciteteve të Rrjetit për prodhim organik të Evropës Juglindore (SEEON).
Sipas pjesëmarrësve në ngjarje, prodhuesit duhet të japin më shumë mund dhe njohuri për ta bërë ushqimin organik më në dispozicion, pasi që në rajon edhe më tej sfidë është fuqia pagesore e konsumatorëve.
“Prodhimi organik është më i lirë se ai konvencional. Bëhet fjalë vetëm për mungesën e njohurive si të zbatohen teknikat adekuate që të mund të prodhohet më lirë. Njohuritë duhet të lokalizohen. Ajo që zbatohet në Afrikë apo Gjermani nuk do të thotë se mund të jetë e suksesshme edhe këtu”, theksoi drejtori ekzekutiv në Federatën e prodhuesve të produkteve organike, Goran Angellovski.
Kërkesa e prodhimit organik, tha, rritet pasi që konsumatorët bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për këtë mënyrë të të ushqyerit. I ngjashëm është rasti edhe në Maqedoni.
Valentina Miteva nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave tha se nga viti 2015, subvencionet për kopshtari organike lidhur me atë konvencionale janë rritur për 100 për qind, për pemëtarinë organike dhe vreshtarinë 70 për qind, ndërsa për bujqësi, blegtori dhe bletari gjithsej 50 për qind.
Në ngjarjen përfundimtare u promovua edhe platforma e internetit seen.org për zhvillimin e prodhimit organik në EJL përmes këmbimit të informacioneve midis faktorëve të ndryshëm. Platforma do të mundësojë që çdo prodhues të krijojë profilin e tij dhe me këtë të ketë qasje në nivel nacional dhe rajonal. Do të ketë edhe kategori të konsumatorëve me informacione për atë se ku mund të blihet ushqimi organik dhe me çfarë çmimi, ndërsa është paraparë edhe i a.q. këshilltar organik me më shumë vegla interneti për vetëedukimin e bujqve dhe me risitë në sektor.