Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski, sot tha se pushteti po i përgatit Teuta Arifin, Dane Taleskin, Misho Dokmanivqin dhe Sashko Nasevin, për t’i dërguar ambasadorë në SHBA, NATO, Izrael dhe Bullgari.

Ai tha se është e pahijshme dhe joparimore që pushteti para zgjedhjeve të emërojë ambasadorë.

“Pse dërgoni ambasadorë politik para zgjedhjeve. Të mos gjendemi më pas në situatë që ata të tërhiqen pasi të ndërrohet pushteti. Ju kujtoj rastin e Aleksandar Nikollovskit, i cili duhej të shkonte në Bruksel para zgjedhjeve. Ndoshta këto persona në këtë mënyrë doni t’i shpaguani, por besoni se nuk ju bëni shërbim”, tha Milloshoski.

Kryeministri Zoran Zaev tha se dy nga personat e përmendur do të dërgohen si ambasadorë, por pa i përmendur me emra.

“Nuk përzihem në përzgjedhjen e emrave, edhe pse e di se për dy prej tyre kanë biseduar presidenti dhe ministri i Punëve të Jashtme. Sipas meje ka kohë të mjaftueshme që deri para zgjedhjeve të bëhet përzgjedhja dhe këto persona t’i mbushin vendet e zbrazëta, sidomos në NATO”, tha Zaev.