Qeveria sot e shqyrtoi dhe miratoi Raportin për realizim të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën janar – qershor 2020. Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit në atë periudhë janë realizuar në vlerë prej 87.437 milionë denarë, që paraqet 44,4 për qind të vlerës së planifikuar për vitin 2020, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë realizuar në vlerë prej 113.387 milionë denarë ose 46,7 për qind nga plani vjetor.

Siç informojnë nga pres-shërbimi qeveritar, në raportin gjysmëvjetor për realizim të Buxhetit i realizuar në kushte të pandemisë nga Kovid-19 dhe në gjendje të jashtëzakonshme, në rezymenë konstatohet se bruto-prodhimi në tremujorin e parë të vitit 2020 shënoi rritje vjetore prej 0,2 për qind në bazë reale, gjatë kontributit pozitiv ndaj rritjes së kërkesës vendore dhe kontributit negativ në neto-eksportin, në kushte të rënies edhe të eksportit edhe të importit.

Në bazë të raportit numri i të punësuarve në tremujorin e parë të vitit 2020 është më i lartë për 2,7 për qind në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2019, ndërsa numri i të papunëve u ul për 8,6 për qind, që rezultoi me uljen e shkallës së papunësisë në 16,2 për qind.

Në rezymenë e Raportit për realizim të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën janar – qershor të këtij viti është regjistruar se shkalla e inflacionit në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2020 është 0,5 për qind, që kryesisht është rezultat i çmimeve të rritura të ushqimit për 1,7 për qind gjatë uljes së çmimeve të energjensëve.

Sipas raportit, në periudhën janar-qershor të këtij viti është realizuar deficit i Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut prej 25.950 milionë denarë, që paraqet 3,8 për qind nga BPV i projektuar për këtë vit, borxhi shtetëror në fund të tremujorit të parë është 41,8 për qind të BPV-së, përderisa borxhi publik paraqet 50,7 për qind të BPV-së.