Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov ka hedhur poshtë mundësinë që Maqedonia të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Maqedonia nuk mund të kryesojë një çështje që është edhe shumë e rëndësishme edhe përçarëse për fqinjët tonë”, ka shkruar Dimitrov në rrjetin social Twitter, transmeton ina.

Ndërsa, kryeministri Zaev në një intervistë të dhënë në maj të këtij viti, ka thënë se “Kosova është zemër e Serbisë” dhe kishte sulmuar qeverinë e Gruevskit për shkak të votës pro për Kosovën në UNESCO.

“Serbia e meriton përkrahjen nga ne, sepse ne jemi popuj ortodoks e katolik dhe duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në të njëjtën kohë, Gruevski votoi pozitivisht për përkatësinë e objekteve fetare në Kosovë, për të cilat ne e dimë se nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarët, që janë të fesë islame, për objektet që janë nën mbrojtjen e UNESCO-s në Kosovë. Atje ekziston historia e Serbisë, aty është zemra e Serbisë. Së paku, ai duhet të qëndrojë larg, të mbetet neutral”, pati thënë Zaev.