”Qeveria ka vullnet për reforma, por ende pa rezultate” Qeveria e re e Maqedonisë u deklarua reformatore, por kritikat e para erdhën nga Brukseli por edhe nga opinioni, pikërisht janë në drejtim të realizimit të reformave që premtoi kjo qeveri. Janë dhënë shumë premtime, ndërsa qeveria është përqëndruar më së shumti me kontestin e emrit të vendit, kurse ekonomia e rënduar gjithnjë e më shumë bëhet shkak për largimin e të rinjve nga vendi, kështu vlerësojnë opinionistët dhe profesorët për redaksinë ‘Fol’.

”Barazia, drejtësia dhe kohezioni i brendshëm ndëretnik janë karakteristikat që mbajnë një shtet të shëndoshë dhe me ardhmëri të garantuar. Këta karakteristika në regjimin e mëparshëm nuk janë spikatur. Qeveria e re ka garantuar se do punojë në këtë drejtim, vullneti nuk mungon, por mungojnë rezultatet”, kështu është shprehur politikologu Xhenis Sulimani, duke shtuar se edhe banorët e Maqedonisë edhe faktori ndërkombëtarë kërkojnë rezultate konkrete.

”Janë dhënë shumë e shumë premtime nga qeveria Zaev, ndërkaq për momentin ata janë të përqëndruar vetëm në çështjen e emrit. Mirëpo edhe në këtë aspekt, veprimi i tyre është vetëm deklarativisht. Afati prej 6 mujorshit të parë të vitit 2018 do të vërteton nëse gjithë kjo mbetet vetëm retorikë apo do të aplikohet edhe në praktikë. Ndryshe kjo qeveri është zotuar edhe për ngritje të standardit jetësor, gjë që nuk është vërejtur deri më tash. Numri i rinisë me vullnet për të ikur nga vendi nuk është zvogëluar, edhe faktori ndërkombëtarë në disa raste është shprehur se ”presim rezultate konkrete”. Kështu duke ia bërë me dije qeverisjes së sotme se nuk mjafton vetëm makineria për marrëdhënie me publikun që të bindet opinioni për një punë të (pa)bërë, por që qytetarët duhet ta ndjejnë mirëqenien”, vlerëson Sulimani.

Profesori Sefer Tahiri dhe njohës i çështjeve politke, për Fol thotë se qeveria e re e Maqedonisë, është deklaruar reformatore, por kritikat e para nga Brukseli janë në drejtim të realizimit të reformave. ”Natyrisht se kritika për dhënie rëndësi marrëdhënieve me publikun është me vend, pasi vendi më shumë ka nevojë për reforma në sistemin gjyqësor, shërbimet sekrete dhe polici, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe në fushën e mediave, ndërsa rastisi që qeveria e re të përballet me zgjedhje lokale, ndërsa përfshirja e drejtpërdrejt e kryeministrit dhe ministrave është një sinjal se shteti vazhdon të mos jetë i ndarë nga partia. Megjithëse në këtë pikë ka kritika, kjo qeveri është e pakrahasueshme me qeverinë e kaluar, e cila shtetin e kishte vënë në funksion të një partie politike, e që ishte VMRO-DPMNE-ja”, thekson Tahiri.

Edhe opinionistja Adelina Marku vlerëson se ka ndryshuar konteksti politik në vend, që do të thotë se po krijohet hapsirë për ndryshime të cilat nevojiten të sistemohen nëpër institucionet e shtetit, domethënë retorika politike nuk është recidiviste, por progresiste.

”Nga retorika progresiste zakonisht krijohet energji për reforma! Reforma ka të bëje me perspektivën për zhvillim dhe është naivitet politik të pritet që ajo të përmbushet brenda një viti të qeverisjes. Ajo do të kapitalizohet, edhe përmes kritikës padyshim dhe çdo vrojtim kritik i Brukselit duhet parë si obligim e jo me nihilizëm. Pra, faktori kohë dhe veprimi pragmatik në këtë periudhë janë përpjestimet që do të garantojnë reformën që duhet të aplikohet nëpër institucione dhe shoqëri. Ka ndryshim në vektorët e politikës së jashtme dhe kjo është për t’u përshëndetur e mbështetur shumë. Vektorët e ndryshimit në politikën e brendshme janë më të ngadalshme e kjo si rezultat i trashëgimisë së faktorëve shoqëror që e bëjnë politikën në shtet, pra Maqedonia futet në fazën e ”check and balance” që ka të bëjë me distribuimin e FUQISË dhe jo centralizimin e saj.

Pra, synimi për të reformuar gjyqësorin është investimi kapital në demokracinë funksionale të shtetit. Fatkeqësisht edhe ky synim kërkon kohë dhe pragmatizëm. Ikja e të rrinjve është trend që lidhet me pakënaqësinë nga ekonomia e rënduar, por në një ambient politik ku veprohet për t’u garantuar integrimi në strukturat euroatlantike, ku modifikohen performancat e liberalizimit të tregut e ku luftohet ”prodhimi” i të burgosurve politik, mendoj unë se do të jenë faktorët kryesor që do bëjnë kthimin e të rrinjve në vend që ka edhe konkurrencën e etabluar sipas vlerave dhe meritave”, potencon Marku.

”Sipas meje reforma ka, por sa janë mjaftueshëm, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme, por kjo qeveri gati dy muaj është në kapacitetin e plotë, edhe pse prishja e koalicionit do të ketë pasoja politike, por nuk mendoj se kjo do të stagnojë vendin nga reformat”, thekson opinionisti Albert Musliu.

Edhe pse qeveria nuk i llogariti si vërejtje kritikat e KE-së, Brukseli mbetet e pakompromist ndaj qeverisë së re për realizimin konkret dhe reformave urgjente nga plani “3-6-9”. /Fol/