Katër shpallje të reja publike për 4.294 hektarë shtesë tokë bujqësore shtetërore, deri në tre hektarë, në të gjitha 31 rajonet e vendit, kaluan sot në seancën e Qeverisë.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, toka është për të gjitha qëllimet – plantacione afatgjata (vreshta, pemishte), sera, ullishte, koloni bletësh,….

Nikollovski njoftoi gjithashtu se deri në fund të muajit maj janë duke u përgatitur edhe dy shpallje për ndarjen e tokës bujqësore shtetërore mbi tre hektarë – njëri për kultivimin e foragjereve dhe i dyti për të gjitha qëllimet tjera në përputhje me Ligjin për tokë bujqësore.

“Qëllimi ynë është rritja e prodhimit vendas. Çdo pëllëmbë tokë do të vihet në funksionim”, nënvizoi Nikollovski.

Sipas tij, interesimi për shpalljen e parë është i madh, kanë mbërritur një numër rekord i aplikimeve.

“Komisioni është duke u mbledhur dhe ofertimi publik se kush do të nënshkruajë kontratën do të caktohet javën e ardhshme. Fakti që interesimi është i madh, tregon se janë ndarë parcela atraktive dhe kjo do të ndikojë në prodhimin vendor”, tha ministri.

Ai po ashtu informoi se sot është bërë pagesa e parë e subvencioneve shtesë për 1066 shfrytëzues që kanë blerë plehra. Përmes Fondit Intervenues ndaj tyre janë paguar rreth 15 milionë denarë.