Qeveria ka përcaktuar modelin e trupit koordinues për bisedimet aderuese me BE-në. Këshilli do të përbëhet nga ministrat e resorëve relevant në krye me negociatorin politik, Bujar Osmani. Ndryshe do të njihet si delegacioni shtetëror për bisedime aderuese. Në kuadër të trupit, do të funksionojë edhe grupi negociues i udhëhequr nga negociatori teknik, grup ky që do të përbëhet nga grupe të punës të angazhuar nga çdo institucion për çdo kapitull të hapur. Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane, Bujar Osmani pranon se procesi është i vështirë, por është optimist se Qeveria do t’ia dal me sukses.

Do të jetë njëri ndër operacionet më komplekse që i ka zbatuar ndonjë Qeveri dhe shumë i shtrenjtë. Qeveria është e gatshme t’i ndërmerr të gjitha mekanizmat me qëllim që të mundësojë proces inkluziv. Ky nuk është proces vetëm i Qeverisë, por duhet kyçur të gjithë, secili qytetar individualisht duhet kyçur. Nuk është proces teknik për të mbushur kocka në letër, por është proces i transformimit të shoqërisë. Nuk kam dilemë se do të kemi sukses por do të jetë proces i vështirë”- tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje Evropiane.

Përveç ekspertëve, komunitetit akademik dhe OJQ-së, pjesë e negociatave ftohet të jetë edhe opozita.

Opozita ftohet të jetë e kyçur në çdo fazë të këtij procesi. Kjo nuk është detyrë vetëm e kësaj Qeverie, por është përcaktim i gjeneratave të cilat duan anëtarësimin. Ne vetëm e bartim stafetën nga njëra tek tjetra Qeveri. Marrëveshja me BE-në është e qytetarëve, ndërsa ne jemi zbatues të përkohshëm të agjendës së qytetarëve”- deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje Evropiane.

Derisa Maqedonia do të zbatoj tre proceset si: “Screeningu” apo vlerësimet, reformat parësore dhe zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, në ndërkohë do të ndodhin tre procese tjera si: referendumi, ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet presidenciale./Alsat-M/