Një pjesë e qytetarëve janë të pakënaqur nga shërbimet administrative. Ata ankohen se për pritje të gjata dhe trajtim joadekuat nga punonjësit administrativ. Ndodhë që për një dokument të rëndomtë të presim me ditë tëra.

“Vetëm për një pyetje, prita gjysmë ore, vetëm t’i pyes, asnjë sportel nuk punon. Të gjithë janë brenda. Të paktën njëri le të japë informata se duhet të shkoj diku tjetër. Ai që ka të njohur brenda, hy, kryen punë dhe del. S’merret vesh fare. Vetëm ia bën me sy dhe hyn brenda, kryen punë”.

“Aspak jo. Nuk punohet. Nuk ka rend. Varet kush si. Kush ka miq hy pa rend, kush nuk ka miq pret derisa nuk vdes këtu”.

“Po, po, po, super. E kënaqur, po. Zakonisht për 7 ditë gati do të jetë pasaporta”.

“Jo aspak nuk jam i kënaqur. Gjithë javën vij dhe sporteli është i mbyllur. Ndërsa taksa duhet të paguhet 100 denarë, patjetër me kartelë. Ka disa që janë më të afërt me pushtetin, ata i kryejnë punët thjeshtë dhe shpejtë kurse njerëzit e thjeshtë si unë e ti do të duhet të presin, të paguajnë dhe të nervozohen”.

“Me shërbimet që na i ofron administrata nuk jemi të kënaqur aspak. Derisa ajo mund të kryhet brenda ditës, na zvarrisin me javë, me muaj. Në raste të tjera kur ka të njohur kryhet për një orë, për dy. Nuk e di çfarë shteti, vetëm emri i ka mbetur, nuk është shtet”.

“Për një certifikatë, e cila mund të kryhet brenda ditës, brenda orës ata mund ta vonojnë atë shërbim për më shumë se 24 orë. Kemi përvoja të ndryshme si nga qytetarët po ashtu edhe personale, ku për shërbime të caktuara shumica prej tyre arrijnë që ta kryejnë punën shumë më shpejtë se sa ata që nuk ofrojnë diçka më shumë nga xhepi i tyre”, shprehen të revoltuar disa qytetarë të intervistuar nga Alsat M.

Ankesat paraqesin shkelje të ligjit për procedurë të thjeshtë administrative, i cili ndër tjerash parashikon trajtim të barabartë të palëve dhe efikasitet në shërbimet administrative.

Ligji për procedurë të thjeshtë administrative:

Parimi i barazisë, paanësisë dhe objektivitetit, neni 6.
“Organet e procedurës administrative janë të obliguar të sigurojnë zbatim të barabartë, tëpaanshëm dhe objektiv të ligjeve dhe rregullave tjera në zgjidhjen e punëve administrative”.

Parimi i efikasitetit, neni 7
“Kur organet nga Neni 1 i këtij ligji vendosin për punë administrative, janë të obliguar të sigurojnë realizim efikas të të drejtave dhe interesave të palëve në procedurën administrative”.

Fonde qeveritare dhe të huaja dedikohen vazhdimisht për trajnimin e administratorëve. Administrata publike është e tej ngarkuar me nëpunës shtetëror. Ndërsa 1700 të tjerë janë akoma të pa sistemuar./Alsat-M