Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për Top Channel ka thënë se Kosova nuk e kishte konsultuar për taksën 100 për qind, por që e kishte përkrahur fuqishëm.
‘’Unë nuk jam pyetur dhe s’kisha pse të pyetesha për vendosjen e tarifës 100%. As nuk kam thënë është e pakonsultuar, as nuk kam thënë pse nuk më pyetët mua, por e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si një veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si një tarifë ekonomike. E kam thënë që ditën e parë, ky është një vendim politik, është një veprim politik, është një qasje brutale për gjithë ata që e shohin si politikë ekonomike, por tërësisht legjitime për atë që është në të vërtetë. Është politikë e jashtme. Ama, kur erdhi puna që tarifa u kthye në mjet të politikës së brendshme, e rrethoi Kosovën me zhgënjim dhe deri me mospërfillje nga partnerët strategjikë të Kosovës dhe nuk u përdor si një mekanizëm, kur i erdhi momenti të përdorej si mekanizëm, për të hequr vizat për Kosovën. Atëherë pa diskutim që kjo u kthye nga një vënie e pasqyrës përpara botës për një shqetësim të madh të Kosovës, në një litar në këmbët e Kosovës.’’