Kryeministri Edi Rama flet edhe për përgjimet ku partia e tij del se është e përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor, flet për mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vend dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama nuk e fsheh drojën se kriza politike mund ta pengojë këtë proces, por duke iu referuar protestave dhe kritikave të opozitës, thotë se “demokracia nuk do të negociohet”.

Madje ai thotë se më 30 qershor zgjedhjet do të mbahen në gjithë Shqipërinë.

“Zgjedhjet do të mbahen në gjithë Shqipërinë. Ata që përpiqen ta pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin dhe ligjet janë të qarta, zgjedhjet kanë një administratë zgjedhore, kanë një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kahershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhje adresohet në Gjykatën Speciale Zgjedhore dhe askund tjetër. Kështu që, janë përpjekje të dëshpëruara të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi se unë insistoj që të shkojmë në zgjedhje, unë insistoj që të respektohet Kushtetuta dhe e drejta e popullit për të zgjedhur”, ka thënë Rama për Radio Evropa e Lirë.