“Shqiptarët nuk janë minoritet, por janë faktor shtetformues”. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare, dhe lajmet e publikuara në media që pretendojnë se shefi i qeverisë shqiptare ka ndikuar në “ngërçin” politik në vendin fqinj.
Duke folur në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, kryeministri Rama theksoi se duhet të ndryshojë kultura maqedonase në drejtim të shqiptarëve. Kjo pasi siç theksoi Rama, shqiptarët nuk janë minoritet por faktor shtetformues dhe se shqiptarët tashmë janë rreshtuar në krahun e duhur të historisë.
“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Maqedoni. Është fakt që pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Duhet të ndryshojë kultura politike maqedonase në raport me shqiptarët. Kjo pasi shqiptarët atje nuk janë minoritet, por janë faktor shtetformues. Faktori shqiptar është pozicionuar në krahun e duhur të historisë dhe kjo ka rëndësi.” tha Rama.