Shkruan: Enver Robelli

Kjo është gjuha e kryeministrit të Shqipërisë sot, në një ditë të vështirë për Kosovën, në një ditë me shumë të panjohura. Është gjuhë e turpshme, aspak atdhetare, gjuhë grindaveci e ngatërrestari, gjuhë që më shumë përdoret në kafene të lagjes, gjuhë që barazon Kosovën (viktimën) me kasapin (Serbinë zyrtare).

Sa i përket “kapjes së veshit”: momentalisht gazetat e rëndësishme amerikane dhe gazetarët më të rëndësishëm amerikanë janë duke publikuar lajme e raporte të gjata me akuza të rënda ndaj kryeministrit të Shqipërisë mbi lidhjen e tij të dyshimtë me një ish-zyrtar të FBI i cili është arrestuar për shkak se ka punuar për rusët dhe për shkak se ka marrë mbi 200 mijë dollarë nga një ish-zyrtar i shërbimit sekret komunist të Shqipërisë.

Momentalisht mediat perëndimore janë duke shkruar për skandalin e kamerave në Shqipëri: mbi 500 kamera të instaluara nga grupet e krimit të organizuar janë zbuluar në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Përmes këtyre kamerave bandat kanë mbikëqyrur policinë dhe rivalët në bizneset e paligjshme.

“New York Times” shkroi pardje për qytetarët shqiptarë të cilëve u janë vjedhur të dhënat (madje edhe bankare) pas një sulmi kibernetik nga Irani. E ky sulm, sado i padrejtë dhe terrorist, ka ardhur pasi një grup i ashtuquajtur opozitar iranian, i strehuar në Shqipëri, ka organizuar hapur aktivitete kundër Iranit. Ideja e pranimit të tyre (me lutje të SHBA-ve) ka qenë të shpëtojnë kokën në Shqipëri dhe jo ta rrezikojnë Shqipërinë.

Përmes aplikacionit “Aktiv1st” partia në pushtet (PS) dyshohet se po shantazhon punonjësit e administratës. Prej tyre pritet të shpërndajnë sa më shumë propagandën qeveritare në mediat sociale dhe varësisht nga “rendimenti” edhe do të kuotohen nga “nëna parti”. Kjo është një formë e mikro-targetingut që i ngjan romanit “1984” të George Orwellit.

Kryeministri që me partinë e tij e ka kapur shtetin (Shqipërinë) nuk është në pozicion të këshillojë botën për të kapur për veshë politikanë të Kosovës. Në 10 vitet e fundit kryeministri i Shqipërisë ka ofenduar, ka kërcënuar me padi dhe ka intriguar kundër së paku 3 kryeministrave të Kosovës. Deklaratat e tij lidhur me Kosovën në të shumtën e rasteve kanë qenë të papërgjegjshme, provokuese dhe polemika të ulëta, përfshirë këtu edhe tentimin e tij për t’i dhënë hov idesë për copëtimin e Kosovës. Nga një politikan premtues që gëzonte simpati edhe në Kosovë, ai sot është një politikan i vetmuar, i cili mund të sillet vërdallë botës dhe të jap këshilla që s’ia kërkon askush, por në Kosovë ka pak njerëz që e marrin seriozisht. Disa karriera nisin furishëm dhe zvetënohen tmerrësisht.

*Shkrimi eshte punlikuar ne facebookun e gazetarit e publicistit Enver Robelli