Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka theksuar se shteti maqedonas duhet të bëjë hap para në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Ai ka deklaruar se nuk është me rëndësi kush drejton Qeverinë  e Maqedonisë, por që shqiptarët t’i gëzojnë të drejtat si popull shtetformues.

Këto komente kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, i bëri gjatë një debati në një media të Kosovës, ku gjithashtu ka shtuar se as Tirana dhe as Prishtina nuk kanë për qëllim të cenojnë sovranitetin e Maqedonisë dhe të imponojnë vendimmarrje.

Sipas Ramës, strukturat politike shqiptare në Maqedoni nuk do të guxojnë më tepër të joshen nga postet dhe veturat, duke shkelur kështu mbi interesin e shqiptarëve. Platforma e nënshkruar së fundmi është thjeshtë gjithçka që i nevojitet shtetit të përbashkët shqiptaro-maqedonas.

“Për ne nuk ka fare rëndësi dhe nuk do të ketë asnjëherë nëse është Nikolla Gruevski, Zoran Zaev apo kjo palë ose tjetra. Për ne ka rëndësi që çfarë shkruan në Marrëveshjen e Ohrit të jetë përgjegjësi e qeverisë së re. Se kush e drejton atë për ne nuk ka fare rëndësi dhe nuk do të ketë përpara atyre pikave që janë të shkruara në atë platformë”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një vijë me kryeministrin shqiptar ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai i kritikoi autoritetet e deritanishme në Maqedoni për neglizhencën e projekteve me interes të përbashkët. Thaçi thotë se pa respektimin e platformës së përbashkët Maqedonia do të mbyll edhe rrugët e fundit për rimëkëmbjen e saj.

“Tani pas zgjedhjeve të fundit është në autoritetin e tyre se me kë do të bëjnë koalicion, por që duhet të respektojnë në përpikëri platformën e përbashkët. Në interesin tonë si Kosovë është që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s sa ma shpejtë, të ndryshohet emri, të hap një perspektivë të sigurt europiane dhe të punojmë bashkërisht në raportet tona ndërfqinjësore”, theksoi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.