Pronari i A1 Velija Ramkoski dhe ish të punësuar në këtë medium sot ishin mbledhur para ndërtesës së televizionit që të përkujtojnë pikërisht shtatë vjetorin e hyrjes së dhunshme të policisë në lokalet e A1.

Para ndërtesës ishin grumbulluar reth 60 persona duke parë gjendjen në të cilën është ndërtesa dhe dëmtimet që i janë bërë.

Dritare të thyera e shumë dëme të tjera janë shkaktuar kësaj ndërtese. Ndërkohë që pronari Ramkoski tha se një herë në vit pra më 25 nëntor duhet të kujtojmë atë që ndodhi në vitin 2010 që të mos ndodh më.

“A1 nuk është haruar, nuk është tejkaluar, A1 nuk e ka biznesin televiziv dhe gazetaresk, nga 20 milion euro ka rënë në 6 milion”, tha ai.

“Këtë vetëm një mendje e sëmurë e bën, shtatë vite një periudhë e gjatë e koha bën që të harojmë punët, A1 nuk është haruar, për mua pas burgut fillon jetë e re, kam dal dhe tash jam sikur në parajsë, do punoj sepse kam shumë punë”, tha mes tjerave Ramkoski.

Pikërisht më 25 nëntor të vitit 2010 ndodhi edhe sulmi policor ndaj televizionit më të shikuar në Maqedoni, duke u arrestuar kështu pronari Velija Ramkoski, vajza e tij Emel Ramkoska si dhe disa drejtues tjerë të televizionit.