Heqje të objekteve të paligjshme përgjatë bregut të liqenit të Ohrit dhe në zonën e mbrojtur të qytetit, ndalesë e plotë për ndërtim, harmonizim të planeve urbanistike me Planin për Menaxhimin e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore në rajonin e Ohrit, mbrojtje të arkitekturës së vjetër të qytetit, heqje të e pajisjeve urbane rreth monumenteve të qytetit dhe kolektorëve diellorë nga shtëpitë e Qytetit të Vjetër. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e shënuara në Raportin më të ri të UNESCO-s, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk. Raporti për trashëgiminë e mbrojtur natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit është dorëzuar te institucionet në vend, ndërsa Komuna e Ohrit pritet nesër ta pranojë të njëjtin.
UNESCO kërkon rikostruimin e shtegut për këmbësorë që lidh kanalin “Studençishta” me “Gorica 1”, sepse vlerëson se janë ndërprerë lidhjet natyrore midis liqenit dhe kënetës me çka është e rrezikuar bota e gjallë.
Sipas kryetarit të Ohrit, Konstantin Georgieski, problemi është kompleks dhe shumica e vërejtjeve kërkojnë shumë kohë për t’u zgjidhur.
“Një pjesë e madhe e problemit vjen si rezultat i mos komunikimit të vendit me UNESCO-n dhe organet e tyre këshilluese gjatë vitit të kaluar. Tani qëndrimet që marrim janë mjaftë të rrepta. Mund të realizohen, por diçka që nuk është bërë si duhet për shumë vite nuk mund të bëhet brenda natës,” tha ai.
Sipas rregullave të UNESCO-s, Lista e Trashëgimisë së Rrezikuar Botërore, ku bën pjesë dhe rajoni i Ohrit, është krijuar për të informuar bashkësinë ndërkombëtare për kushtet që rrezikojnë tiparet specifike për shkak të të cilave një rajon ose vend është vendosur në këtë listë si dhe për të inkurajuar veprimet për të përmirësuar kushtet në të.
Me përfshirjen e një vendi në këtë listë, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në konsultim me qeverinë e rajonit të rrezikuar, duhet të zbatojë program të masave konkrete korrigjuese dhe më pas të monitorojë situatën në terren. Vendi duhet të ndërmerr gjitha aktivitetet e planifikuara që të hiqet sa më shpejtë që është e mundur nga Lista e Trashëgimisë së Rrezikuar.
Përndryshe, në korrik të vitit 2019, Komuna e Ohrit publikoi të dhëna se ka 1,076 ndërtime pa leje, nga të cilat 409 janë në zonën e mbrojtur. Pak ditë më vonë, kryetari i komunës së Ohrit Konstantin Georgievski tha se UNESCO nuk kërkon të prishë të gjitha ndërtimet e paligjshme, por të bëjë një vlerësim se si ato ndikojnë në zonën e mbrojtur dhe që sipas tij, një duzinë objekte do të duhet të shkatërrohen. Ai pastaj tha se komuna nuk mund të merret vetë dhe kërkoi ndihmë nga shteti. Qeveria në nëntor të vitit 2020 miratoi vendim me të cilin Komuna e Ohrit do të marrë gjashtë milion denarë ose 97 mijë euro nga buxheti i shtetit për të zbatuar rekomandimet nga UNESCO, për të zgjidhur problemin e ndërtimeve pa leje.
Në këtë komunë kanë prishur disa objekte, por jo-mjaftueshëm për të marrë raport pozitiv nga UNESCO.