Pas rastit të mjekur Lee Venliang, që kishte paralajmëruar botën për coronavirusin dhe që ishte infektuar dhe më pas kishte vdekur nga ky virus, tani është zhdukur gazetari Chen Qiushi.

Chen që kishte raportuar për epideminë e virusit në qytetin kinez Wuhan, është zhdukur të enjten, kurse familjarët dhe miqtë e tij po frikësohen se ai është dërguar dhunshëm në karantinë.

Siç raporton CNN, familjarët dhe miqtë prej asaj dite nuk kanë mundur të vënë kontakt me të. E vdekja e mjekut që kishte paralajmëruar për rrezikun nga virusi, ka shkaktuar reagime të ashpra të opinionit në Kinë, ku deri më tani kanë humbur jetën mbi njëmijë persona dhe miliona tjerë janë futur në karantinë.

Mjekun Lee Venliang që kishte paralajmëruar për pasojat e virusit, e kishte ndëshkuar policia për shpërndarje të thashethemeve, kurse më vonë është raportuar se është infektuar e disa ditë më vonë edhe se ka vdekur.

Zhdukja e gazetarit është bërë kryetemë në rrjetin social kinez Weibo, ku shumica prej tyre po kërkojnë “lirimin e tij”. Chen kishte mbërritur në Wuhan më 24 janar, kurse një ditë më pas i tërë qyteti ishte futur në karantinë.

Ai kishte vizituar spitalet plotë pacientë, duke publikuar video që shfaqnin realitetin në këtë provincën kineze. E miqtë e tij thonë se kishin qenë në kontakt me të nga disa herë në ditë, por nga zhdukja e tij po frikësohen se ai mund të jetë ndëshkuar për shkak të raportimeve.