përballur me kritikat e ashpërta të zyrtarëve të pensionuar ushtarakë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, insiston se Departamenti i Mbrojtjes nuk është duke luajtur lojëra politike dhe është distancuar nga sugjerimet e presidentit, Donald Trump, që ushtria të përdoret për shtypjen e trazirave të brendshme me anë të riaktivizimit të Aktit dy shekuj të vjetër për Kryengritje.
“Opsioni i përdorimit të forcave aktive me anë të ligjit duhet të shfrytëzohet vetëm si mundësia më e fundit dhe vetëm në situatat më urgjente dhe të zorshme. Nuk ndodhemi tani në njërën prej këtyre situatave. Nuk e mbështes inicimin e Aktit të Kryengritjes tani”, ka thënë Esperi gjatë një konference shtypi të mërkurën.

E pas kësaj shtoi: “Po bëj çmos që të mbetem apolitik”. Komentet u bënë pas deklaratës së shumëkritikuar të Esperit në “NBC News” se nuk është në dijeni të synimeve të Trumpit, kur shefi i Pentagonit iu bashkua presidentit për një mundësi fotografimi në kishën episkopale “St. Johns” gjatë së hënës. E krejt kjo pasi protestuesit paqësorë u larguan forcërisht nga rrethina e Shtëpisë së Bardhë. Vlerësimet e fundit sugjeruan se Esperi po distancohej me plot vetëdije nga Trumpi, ani pse “New York Times”-i raportoi gjatë së martës se sekretari i Mbrojtjes e kishte avokuar vetë inicimin e Aktit të 1807-s për angazhimin e forcave aktive.

Esperi, po ashtu, nxiti kritika, kur u bëri thirrje guvernatorëve që ta “masivizojnë dhe dominojnë fushëbetejën”, në një referencë për shtypjen e protestuesve. Vlerësimet e sekretarit për guvernatorët, bashkë me paraqitjen e tij me Trumpin shoqëruar nga kryesuesi i stafit të shefave, Mark Milley, provokoi një valë kritikash të ashpra nga ish-zyrtarët e lartë ushtarakë, përfshirë vetë sekretarin e dikurshëm të Trumpit për Mbrojtje, James Mattis, i cili në një deklaratë të së mërkurës vonë, tha: “Kur iu bashkova ushtrisë, rreth 50 vjet më parë, dhashë betimin që ta mbështes dhe ta mbroj Kushtetutën.

Kurrë nuk do ta shihja as në ëndërr se trupat që e bëjnë betimin e njëjtë do të urdhëroheshin, nën çfarëdo rrethane, që t’i shkelin të drejtat kushtetuese të bashkëqytetarëve – pak a shumë për ta siguruar një mundësi bizare fotografimi për kryekomandantin e zgjedhur, rrethuar nga udhëheqësit e ushtrisë”.