Qytetarë që kanë qenë pre e proceseve të montuara politike dhe gjykimeve të padrejta u mblodhën së bashku për të treguar rrëfimet e tyre të paraburgimeve, gjykimeve të gjata e torturave që i kanë përjetuar nga gjyqësori i Maqedonisë.

Nga Lupa e Gjelbërt dhe Komiteti për mbrojtjen e të drejtave kishin ftuar siç i quajtën, viktima të regjimit duke kujtuar se qindra fate njerëzish ende janë pre e rasteve të montuara politike pasi vuajnë nëpër burgje ose presin përgjigje për mundësinë e rigjykimit.

Nga Lupa e Gjelbër thanë se do të vazhdojnë me denoncimet e tyre për padrejtësitë që u bëhen qytetarëve dhe i bëjnë apel Prokurorit Publik që të pranojë kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë me të cilat lënda do të rigjykohej.

“Varemi nga vullneti i prokurorit publik i cili duhet të vendosë nëse do të shkojë rrugës së drejtësisë dhe do të pranojë kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë që 99 për qind nuk pranohen, ose do të vazhdojë të mbrojë kolegët…Ai duhet ta kuptojë se nuk është prokuror në Suedi por në një vend ku ka sunduar një regjim dhe janë bërë shumë padrejtësi, dhe doemos duhet të bashkëpunojë me viktimat e sistemit gjyqësor të cilët nuk janë kriminelë”, thotë Georgi Nastevski, Lupa e Gjelbër.

Nastevski kujtoi se kanë bërë një sërë kërkesash edhe përgjegjësi të gjykatësve që praktikisht kanë gjykuar proceset e montuara politike, por Këshilli Gyqësor asnjëherë nuk ka vepruar sipas pritjeve të tyre. Kujtuan se një sërë gjykatësish kanë punuar për shërbimet në kohën e ish Jugosllavisë dhe kërkojnë që kjo kategori e gjykatësve që kanë punuar për regjimin të ndahen nga gjykatësit e ndershëm të cilët e respektojnë ligjin dhe drejtësinë.

Ish gjykatësi IlijaTanev tërheq vërejtjen se sistemi gjyqësor vazhdimisht refuzon provat thelbësore në procese gjyqësore dhe kjo i pamundëson qytetarët që të bëjnë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rigjykim, pasi çdo provë që ata tentojnë ta përdorin, gjykata ua hedh poshtë. Pastaj në momentin kur kushti i vetëm për rigjykim është që në një proces gjyqësor të dalin prova të reja me të cilat mund të ndryshohet gjendja faktike, ata i kanë duart e lidhura.

“Problemi më i madh gjatë përsëritjes së proceseve gjyqësore është vetë baza e cila dikton që të ketë ndonjë fakt ose provë të re që nuk është shpalosur gjatë procesit gjyqësor. E ku është ai fakt i ri kur gjatë procesit gjyqësor edhe vetë provat e propozuara janë refuzuar. Provat e tilla nuk mund të përdoren më në atë proces gjyqësor dhe kështu nuk kemi më mundësi që të bëjmë kërkesë për përsëritjen e procesit gjyqësor pasi nuk kemi prova”, thotë Ilija Tanev, ish gjykatës.

Në mesin e të pranishmëve në sallë ishin dhjetëra viktima të proceseve gjyqësore që në opinionu klasifikuarn si të montuara nga politika siç është rasti Monstra, Alfa, Spiuni, Detonatori, Baçillo e të tjerë.