Bojan Iliq dëshmoi në cilësinë e dëshmitarit në rastin e Almir Aliut. Vëllai i të akuzuarit Boban Iliç, i cili ishte në veturë natën kur u shtyp për vdekje Almiri 4 vjeçar, para trupit gjykues dha deklaratë kundërthënëse. Ai tha se nga shmangja e parë me veturë kanë kthyer në anë të majtë dhe janë gjetur para një trari. Ndërsa rruga për të cilën dëshmoi ai, në fakt ndodhet në të djathtë. Më pas në pyetjen e prokurores së lëndës Suzana Kusigerska, Bojan Iliq tha se paraprakisht nuk ka thënë se janë kthyer në anën e majtë.

”Isha në veturë, në anën e djathtë të shoferit. Duke u shmangur, në fund të rrugës kthyem në të majtë, para nesh kishte një tra. Nuk më kujtohet sa persona kanë qenë rreth nesh. Pas goditjes mu hap dera por nuk e di nga kush. Një personi me bluzë të bardhë nga dora ia mora një shufër hekuri dhe kam goditur disa persona duke lëvizur dhe duke tentuar të shpëtoj vëllain tim. Sa i përket veturës, po e kemi rregulluar. Për riparimin kam pëlqim nga Prokuroria Themelore e Kumanovës. Vetura ishte në shitje por nuk është më – tha Bojan Iliq, vëllai i Boban Iliqit.

Pala e dëmtuar reagoi ashpër ndaj pyetjeve të prokurores Kusigerska pasi e njëjta, dëshmitarit i bënte pyetje të drejtpërdrejta. Avokati i familjes Aliu, qasjen e Kusigerskas e quan avokaturë dhe tendencë për rikualifikim.

”Tentimet për rikualifikim të veprës bëhen nga ana e Prokurores Suzana Kusigerska. Në pyetjet e kryqëzuara impononte përgjigje të cilat i duhen asaj me qëllim që rikualifikimin ta bëj në fjalët përfundimtare. Në çdo mënyrë tenton që të parashtroj pyetje që i konvenojnë asaj, si në pjesën e lëvizjes së veturë, mos ndjekjen penale të Bojan Iliçit dhe rikualifikimin e mundësh krejt në fund – deklaroi avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç. 

Veçmas dëshmitarit të parë, para trupit gjykues dëshmoi edhe Tanja Dimokovska. Seanca për rastin e Almir Aliut ka nisur nga fillimi. Prokuroria Publike ka qëndruar në akuzën e njëjtën, pavarësisht vendimit të Prokurorisë Republikane për rikualifikim të veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekje”. Për rikualifikimin Kryeprokurori Ljubomir Joveski tha se “për” rikualifikimit është vendosur për shkak të pamundësisë për të konstatuar paramendimin tek i akuzuari Boban Iliq. Deklarata e tij nxiti reagime dhe protesta. Pala dëmtuar në seancën paraprake propozoi dëshmi, por dëshmitarët okular nuk u pranuan nga ana e trupit gjykues. Në rastin e Almir Aliut tre persona akuzohen për dhunë: Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri, ndërsa Boban Iliq akuzohet për vrasje. Jashtë akuze mbetet Bojan Iliq, vëllai i të akuzuarit për vrasje. Vrasja e Almir 4 vjeçar ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, si pasojë e goditjes më veturë nga agresori Boban Iliç pas një zënke paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit për vrasje. Seanca e radhës u caktua më 15 mars ku edhe do të thuhen fjalët përfundimtare.