Dy vjet burg me kusht për ish-drejtoreshën e shkollës ekonomike të Tetovës, Ramie Kurtishi. Gjykata Themelore e Tetovës këtë dënim e bazoi për kryerje të veprës penale, mos zbatim të vendimit gjyqësorë.

Gjobë në vlerë prej 150 mijë denarësh iu shqiptua edhe shkollës ekonomike “8 shtatori”.

Arjeta Veliu, profesoresha e larguar nga vendi i saj i punës i’u kthye ditarit dhe nxënësve. Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës theksoi se Enti për Punësim dhe Shkolla Ekonomike “8 shtatori” menjëherë zbatuan vendimin e Gjykatës Supreme dhe të Ministrisë së Arsimit.

Aktvendimi i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore të Tetovës për rastin e Arjetës nuk u zbatua plot 5 vite. I pazbatueshëm ishte edhe vendimi i parë i Gjykatës Supreme. Drejtorja Ramie Kurtishi kishte kërkuar rigjykim, por një gjë e tillë u hodh poshtë.

Madje për moszbatim të vendimit gjyqësor, drejtorja ndiqet penalisht nga Prokuroria Themelore e Tetovës. Procedura mori kthesë pas publikimit të rastit në Alsat pas çka pasoi reagimi i menjëhershëm i institucioneve të shtetit.