Avokatët mbrojtës të të akuzuarave për rastin e Kumanovës kërkojnë tërheqjen e Trupit Gjykues dhe të prokurorisë, për shkak se ata nuk i pranuan dëshmitarët e propozuar nga ana e tyre. Nëse do të pranohet kjo ose jo të do të bëhet e ditur në seancën e caktuar për më 29 maj, por, në rast se refuzohet, pala mbrojtëse bëri të ditur se do ta bojkotojë seancën.

Avokati mbrojtës Shasivar Iseni, u shpreh se refuzimi i 98% të dëshmive të tyre dhe 100 % të dëshmive të pranuara të prokurorisë, i ka bërë që ata të kërkojnë përjashtimin e Trupit Gjykues, kur pikërisht tani pas dëgjimit të dëshmive të të akuzuarve është paraqitur nevoja për t’i pyetur si dëshmitar edhe njerëzit kompetent që sipas tyre e kanë udhëhequr aksionin në Lagjen e Trimave.

“Mendimi jonë si mbrojtës ishte se Trupi Gjyqësor nuk është profesionalisht i denjtë për ta udhëhequr këtë lëndë. Meqenëse seancën e fundit për t’i arsyetuar gabimet e veta që i bën kryetarja e Trupit Gjykues, ka thënë se mbrojtja nuk i ka dhënë provat e duhura në kohën e duhur. Neni 306 i procedurës penale parasheh se mbrojtja, të akuzuarit kanë të drejtë që gjatë tërë procesit gjyqësor të propozojnë dëshmi të cilat kanë dalë nga procesi”, ka deklaruar Shazivar Iseni, avokat mbrojtës.
Avokati mbrojtës Naser Raufi mendon se ekziston një bashkëpunim në mes Gjykatës dhe Prokurorisë, për atë se cilat prova të pranohen dhe cilat të refuzohen.

“Kërkova përjashtimin e prokurorisë dhe kjo nuk është hera e parë, por arsyeja e fundit që kërkova është ajo që është evidente që Prokuroria dhe trupi Gjyqësor, një bashkëpunim që nuk është i lëjuar me ligjin për procedurë penale, kanë caktuar se cilat prova të prokurorisë do të pranohen dhe cilat prova të mbrojtjes do të refuzohen”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.

Raufi bëri të ditur se përveç që do të ngrisin padi penale kundër tyre, për këtë do të kërkojnë edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtarë.

I akuzuari Andi Krasniqi gjatë dëshmisë së tij potencoi se prej fillimit të këtij procesi e ka vërejtur se nuk do të ketë drejtësi dhe kjo është vërtetuar sipas tij në momentin kur një dëshmitar ka filluar të tregojë se si është e vërteta e këtij rasti dhe pikërisht në atë moment ishte ndërprerë drita në sallë, nën arsyetimin se nuk ka rrymë, në mënyrë që ai person të mos vazhdojë me dëshminë e tij. Komandat Malisheva më tej edhe njëherë bëri të ditur për dhunën e vazhdueshme që u është bërë gjatë transportit për në gjykatë.

Në një moment i akuzuari Demë Shehu u zgjua dhe i revoltuar u shpreh se do t’i përndjek deri në momentin e fundit të gjithë ata të cilët vranë shokët e tij dhe se secili do të jep përgjegjësi për veprimet e bëra. Kështu derisa ai po fliste, gjykatësja kërkoi ndërprerjen e kësaj seance, duke thënë se me kërkesë të avokatëve mbrojtës për përjashtimin e Këshillit Gjyqësor, kjo seancë do të ndërprehet derisa organet kompetente të marrin një vendim.