Gjykatësja Olja Ristova e rastit “Titanik 3” është tërhequr nga lënda e Ejup Alimit, shkaku i presionit të madh mediatik që po i bëhet nga prokurorët e speciales. Ristova i ka kërkuar kryetarit të gjykatës që ta heq nga ajo lëndë, pasi kryeprokurorja Speciale Katica Janeva në një intervistë e ka akuzuar atë se nuk ka ndërmarrë asgjë kur është denoncuar për kërcënimet e avokatit të Ejup Alimit ndaj prokurorëve. Në arsyetimin me të cilin ka kërkuar që të tërhiqet nga lënda, Ristova ka shkruar se kjo dhe shumë deklarata të tjera rreth kësaj lënde e kanë bërë opinionin të dyshojë në paanshmërinë e saj, prandaj preferon që të largohet pasi edhe ashtu kjo lëndë është e ndjeshme.

Olja Ristova, gjykatëse

“Në emisionin KOD në televizionin Telma, në 27 janar të vitit 2019, prokurorja publike Katica Janeva ka dhënë deklaratë në kontekst të gjoja kërcënimeve të një prej avokatëve në këtë rast ndaj prokurorëve të lëndës. Janeva në deklaratën e saj u kërkon gazetarëve që të ndjekin me vëmendje këtë proces, pasi siç ka thënë, gjykata gjoja nuk i ka pranuar kërcënimet si diçka serioze, dhe nuk ka marrë masa në këtë drejtim, si dhe ka vlerësuar se nuk ka rend në sallën e gjykatës .Vlerësoj se ky ndikim i pabazë mediatik për një lëndë që edhe ashtu zhvillohet në prani të mediave, OJQ-ve dhe prëfaqësuesve ndërkombëtar, bëhet presion direkt dhe vihet në pyetje pavarësia dhe paanshmëria e gjykatës, gjë që lind dyshime tek opinioni”

Përveç Ristovas, edhe Gjykata Penale i ka përjetuar deklaratat e prokurorëve të Speciales si një presion direkt, pasi prej fillimit ky proces zhvillohet me prani të mediave, dhe thirrje për përcjellje të lëndës me vëmendje janë vetëm mesazh ose formë presioni. Gjykata Penale ka vlerësuar se gjykatësi i lëndës ka qenë korrekt, dhe vazhdimisht i ka plotësuar kërkesat e palëve, dhe asnjëherë nuk është prishur rendi në sallë.

Gjykata Themelore Shkupi 1

“Me qëllim që të menjanohet edhe dyshimi më i vogël për anshmëri, dhe duke i marrë parasysh deklaratat e gjykatëses Olja Ristova, por edhe pohimet e PSP-së lidhur me zhvillimin e procedurës, është marrë vendim që gjykatësja të tërhiqet nga lënda”

Tani kjo lëndë do të vendoset përsëri në sistemin AKMIS, dhe do ti ndahet ndonjë gjykatësi sipas zgjedhjes së rastësishme. Edhe pse kësaj lëndë i ishte afruar fundit, tani procedura përsëri do të duhet të kalohet nga e para dhe do duhet të kalojë kohë derisa gjykatësi i ri të shqyrtojë lëndën në tërësi. /SHENJA/