Përmes një kumtese me shkrim “Rilindja Demokratike Kombëtare” edhe një herë ka shprehur mbështetjen e tyre ndaj Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të prononcohen rreth PSP-së para shpërbërjes së Kuvendit.

“Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka mbajtur qëndrim konsistent rreth Prokurorisë Speciale dhe se ky institucion është shtylla kryesore e fillimit të rikthimit të sundimit të ligjit dhe fuqizimit të insitucioneve të vendit. Në drejtim të kësaj, të gjithë duhet të jemi vigjilent ndaj lojërave të ulëta që bëhen nga forca të ndryshme destruktive për të shpërbë tërrësisht këtë institucion të rëndësishëm, me qëllim që të shkaktohet krizë edhe më e thellë politike. Taktizimet e Gjykatës Kushtetuese për t’u prononcu rreth krijimit të Prokurorisë Speciale janë mjaft destruktive, dhe partitë politike duhet me çdo kusht të insistojnë që kjo gjykatë të prononcohet sa më shpejt që është e mundëshme, me qëllim që mos të lejohen lojëra me pasoja të rënda për vendin.
Rilindja Demokratike Kombëtare mban qëndrim se Gjykata Kushtetuese duhet të prononcohet rreth Prokurorisë Speciale para shpërbërjes së Parlamentit që është paraparë më 12 tetor, sepse në të kundërtën nuk do të ketë organ tjetër që do të mund të respektoj Marrëveshjen e Përzhinës për krijimin e serishëm të Prokurorisë Speciale brenda 5 ditëve. Një vendim i tillë jo vetëm që do të anulojë zgjedhjet e parapara për më 11 dhjetor, por do të shkaktojë rrëmujë me pasoja të rënda për vendin në përgjithësi. Zgjedhjet e parapara për më 11 dhjetor të këtij viti duhet detyrimisht të kushtëzohen me punën dhe fuqizimin e Prokurorisë Speciale, dhe çdo tentativë për të abroguar Ligjin e Prokurorisë Speciale nga ana e Gjykatës Kushtetuese me automatizëm do të vë në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti. Kriza politike nuk zgjidhet me lojëra të kësaj natyre dhe çdo tentativë e këtij lloji do të ketë kosto të lartë për vendin dhe popullatën në përgjithësi”, thuhet në kumtesën e RDK-së.

© fol.mk