Lëvizja Eco Guerilla duke respektuar parimin që të mos jetë palë në fushatën parazgjedhore, detyrohet të reagojë për publikimin e spotit publicitar të kandidatit për kryetar komune nga Lëvizja Besa z. Bilall Kasami. Në spotin 3D me titull “Kazerma nën udhëheqjen e Lëvizjes BESA” shihet plani për ndërtim të një kompleksi të objekteve banesore dhe qendër tregtare. Duam ti rikujtojmë që në datën 5 dhjetor 2016, ky subjekt bashkë me parti të tjera ka nënshkruar memorandum me Lëvizjen Eco Guerilla ku zotohen që do të angazhohen që qoftë si pozitë apo opozitë që Kazerma e Tetovës të shëndrohet në Park të qytetit. Kërkojmë që menjëherë të tërheqin spotin 3D ngaqë janë në kundërshtim me memorandumin e nënshkruar.

Tetova është një nga qytetet me më pak hapësira të gjelbërta dhe çdo tendencë betonizimi nga cilido subjekt do të kundërshtohet ashpër nga qytetarët.

Shembull i këtyre premtimeve boshe është edhe kryetarja aktuale e cila mandatin e fitoi me premtime për zgjidhjen e infrastrukturës efikase rrugore, linjën e rregullt të transportit publik, parkingje nëntoksore, ambient të pastër jetësor, parqe të gjelbërta që ruhen e mirëmbahen, kinema, muze, hapësira të posaçme për rekreacion. Moszgjidhja e deponisë dhe ujit për 4 vite e gjysëm dhe manipulimi elektoral para zgjedhjeve është nënçmim i inteligjencës së qytetarëve.

Prandaj, kërkojmë nga të gjithë kandidatët të jenë të kujdesshëm në premtimet që japin, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor.