Lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit në Lëvizjen Besa, njoftojmë anëtarësinë, simpatizuesit dhe të gjithë dashamirët e Lëvizjes Besa, se ne si anëtarë të kryesisë së Degës së Kumanovës jemi të shqetësuar shumë me këto zhvillime brenda subjektit tonë politik, në veҫanti me faktin se kush dhe si mori vendim që në emër të degës së Kumanovës të shkarkojë kryetarin e Lëvizjes Besa…?!

Mungesa e transparencës shkakton konfuzitet jo vetëm në radhët e strukturave udhëheqëse, por edhe në radhët e anëtarësisë. Kryesia e Degës në Kumanovë nuk ka debatuar për përgjegjësinë e dikujt dhe si rrjedhojë asnjëherë nuk ka vendosur që të kërkohet dorëheqja e kryetarit Bilall Kasami.

Sigurisht anëtarët e Këshillit Qendror dinë mirë, e mbase e kanë njoftuar kryesinë e degës! Mirëpo a kanë marrë pëlqimin e dikujt dhe në çfarë rrethanash kanë vendosur të shkarkojnë nga detyra kryetarin e partisë…?! Kur flitet për demokraci duhet t’i respektojmë edhe rregullat e saj. Ndërkaq, partitë politike kanë një statut të shkruar, në bazë të të cilit funksionojnë, prandaj anëtarët e Këshillit Qendror nga Kumanova duhet ta kishin lexuar para se të merrej një vendim aq i rëndësishëm.

Me këto veprime, ideatorët e Lëvizjes Besa e harruan moton e daljes në skenën politike. Harruan se shqiptarëve u thanë: “Votoni Besën se ajo është shpresa e fundit e shqiptarëve në Maqedoni!”. “Besa është me besë, transparente prandaj është ndryshe nga partitë e tjera politike dhe në fund, se Besa është amanet”.

Kur kihen parasysh këto zhvillime, rrjedhimisht e logjikisht lind pyetja: “Ku është transparenaca dhe pse ne nuk kemi pasur njohuri për këto zhvillime…?!” Më 24 shkurt 2018 të gjithë u pajtuan që të mbahet Kongresi, si organi më i lartë i Lëvizjes Besa dhe i vetmi që ka të drejtë të zgjedhë e shkarkojë kryetarin e Lëvizjes Besa, pra aty do të ishte mundësia të kërkohej edhe llogari dhe të bëheshin ndryshime. Atëherë përse në mënyrë enigmatike e me nxitim në Shkup u soll ky vendim..?! A ia vlen që për të ashtuquajtura parime, që realisht kërkohen në formë selektive, të shkatërrohet një parti që me aq hov e fuqishëm doli në skenën politike në Maqedoni…?!

Nga informatat që kemi, shihet qartë se mospajtimet në mes dy palëve janë të pakuptimta dhe sekundare në krahasim me qëllimin e themelimit dhe nevojën e funksionimit të Lëvizjes Besa. Ne mendojmë se vendimi i Këshillit Qendror në Shkup ishte i nxituar dhe në kundërshtim me statutin e Lëvizjes Besa, prandaj kërkojmë që dallimet, eventualisht edhe mosmarrveshjet të diskutohen dhe zgjidhen në Kongres si organi më i lartë i Lëvizjes Besa.

Nënshkrime nga anëtarë të kryesisë së degës në Kumanovë. /Fol/