Reali i Madridit nuk gabon edhe pa treshen e famshme sulmuese “BBC”. Pa Ronaldon dhe Bale dhe me Benzema që qëndroi gjatë gjithë kohës në stol, Los Blancos triumfuan me rezultatin 2-4 në derbin e vogël të Madridit ndaj modestëve të Leganes. Për të udhëhequr Realin drejt një sukses që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion në La Liga mendoi Alvaro Morata që me një tregolësh bëri liderin e vërtetë në mungesës të treshes, Ronaldo-Bale-Benzema.

Serinë e golave në fakt e hapi James Rodriguez që shty në rrjetë topin pas një inkursioni personal të Asensios që bëri gjithcka mirë duke i servirur golin e avantazhit kolumbianit. Më pas skena ishte e gjitha për Moratën që realizoi dy herë në harkun e 5 minutave duke ia bërë më të thjeshta gjërat Realit. Por Los Blancos ndërlikuan gjithcka vetë sepse vendasit e Leganes në të 32 dhe 34-tën shënuan dy gola të shpejtë me dy brazilianët, Gabriel dhe Luciano duke rihapur sfidën. Por vetëm kaq për Leganes në këtë ndeshje sepse në fillimin e pjesës së dytë Morata shënoi sërish duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 2-4, me Realin që ruajti kreun duke u ngjitur në kuotën e 71 pikëve.